Komisioni për Buxhet nuk e ka miratuar propozimin për ndarjen e një milion eurove shtesë për invalidët e luftës, të cilat do të përdoreshin për blerjen e protezave dhe pajisjeve të tjera mjekësore.
Propozimi i shqyrtuar në kuadër të ndryshimeve në Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2026, nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi pesë anëtarë votuan pro, ndërsa pesë të tjerë abstenuan.
Pas mosmiratimit të amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për protezat e invalidëve të luftës, për “Front Online” ka folur kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së në Fushë-Kosovë, Xhevdet Qeriqi i cili e ka cilësuar të papranueshëm këtë vendim dhe ka kërkuar nga institucionet mbështetje për këtë kategori.
“Për ne si invalidë të luftës të UÇK-së, është e papranueshme se si sot Komisioni parlamentar nuk e votoi një amendament jashtëzakonisht të rëndësishëm, ku bëhet fjalë për protezat e atyre që dhanë gjymtyrët e trupit për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Qeriqi.
Ai tha se protezat janë të domosdoshme për këtë kategori dhe jo luks.
“Proteza nuk është luks, është një mjet i domosdoshëm që t’ua mundësojë lëvizjen atyre që i humbën gjymtyrët e trupit në luftën për liri”, ka thënë ai.
Qeriqi ka treguar se si çdo ditë përballet me kërkesa nga invalidët e luftës, ndërsa ka ndarë edhe përvojën e tij personale me pasojat e plagëve të luftës.
“Personalisht, edhe vetë si invalid i luftës vuaj nga plagët dhe prej përfundimit të luftës i kam pasur mbi 40 intervenime e operacione nëpër plagë. Mjekët më kanë rekomanduar vendosjen e protezës, për këtë është në dijeni edhe vetë ministri i Shëndetësisë”, ka deklaruar Qeriqi.
Ai ka kërkuar sqarime edhe për zotimin e mëhershëm të Qeverisë për sigurimin e protezave për invalidët e luftës.
“Qeveria e Kosovës e pati marrë një vendim ku zotohej se do të kujdesej për sigurimin e protezave të kësaj kategorie. Tani se çka është duke ndodhur, ne nuk kemi asnjë informacion, mirëpo invalidët e luftës meritojnë trajtim të dinjitetshëm”, tha ai.
Përveç protezave, Qeriqi ka ngritur shqetësimin edhe për mungesën e karrocave për invalidët që nuk mund të lëvizin dhe të patericave
“Mos të harrojmë se përveç protezave kjo kategori është përballë edhe me mungesë të karrocave për Invalidët të cilët janë të pa lëvizshëm dhe për paterica, këto të fundit kemi arritur që ti sigurojmë përmes donatorëve dhe njerëzve të vullnetit të mirë”, potencoi Qeriqi.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë për t’i ndihmuar invalidët e luftës.
“Krejt në fund i bëj thirrje Qeverisë, Kuvendit dhe Komisionit parlamentar që t’i shqyrtojnë seriozisht këto kërkesa dhe t’i dalin në ndihmë kësaj kategorie në nevojë”, ka përfunduar Qeriqi./Front Online
