Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.
E, në kohën kur dy ministrat pritet të flasin për rastin dhe përgjegjësinë institucionale, para ndërtesës së Qeverisë do të mbahet protestë, ku ndër kërkesat kryesore do të jetë dorëheqja e tyre.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar se protesta do të nisë në orën 08:45, vetëm 15 minuta para konferencës së paralajmëruar të dy ministrave.
Në njoftimin e tyre, aktivistet kanë bërë të ditur se do të kërkojnë që ministrat të dalin para protestuesve dhe të japin përgjigje për vendimet që do të ndërmerren.
“Na do jemi aty, edhe i kërkojmë me dalë me na tregu vendimet jashtë. Nëse ata nuk dalin jashtë, ne do hyjmë brenda”, thuhet në njoftimin e Kolektivit.
Sipas tyre, Gërvalla dhe Sveçla kanë mundësi ta bëjnë hapin e parë drejt drejtësisë për Arlindën duke dhënë dorëheqje.
Përveç dorëheqjes së dy ministrave, protestueset kërkojnë edhe shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të tjerë që, sipas tyre, kanë përgjegjësi në trajtimin e rastit.
“Po ashtu, ne kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgimin e kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, prokurores Suada Rama-Hamza, kryetarit të gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësit Migjen Kastrati, drejtores së QPS-së Shpresa Lukaj dhe çdo zyrtari/e tjetër të përfshirë”, thuhet në njoftim.
Kolektivi ka bërë të ditur se protestuesit do të qëndrojnë para Qeverisë dhe nuk do të largohen derisa kërkesat e tyre të dëgjohen.
Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar të enjten se ka pranuar raportet nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas njoftimit, raportet do të shqyrtohen në detaje, për të identifikuar çdo lëshim, neglizhencë, mosreagim apo përgjegjësi institucionale gjatë trajtimit të rastit.
Për shqyrtimin e këtyre raporteve dhe veprimet e mëtejme, është paralajmëruar konferenca e sotme për media nga dy ministrat.
Një ditë më parë, kryeprokurorja e Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetaj, prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, si dhe 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra, katër ditë pas vrasjes së Zekajt.
Megjithatë, në protestat e mbajtura pas vrasjes së saj, kërkesat kanë shkuar përtej suspendimeve. Është kërkuar shkarkimi dhe ndjekja penale e personave përgjegjës në Prokurori, Gjykatë dhe Polici, si dhe dorëheqja e ministrave Sveçla e Gërvalla dhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, Albert Sylaj, i cili është arrestuar.
Vetëm tri ditë para se të vritej, Zekaj i kishte dërguar letër kryeprokurores së Pejës, duke e paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
