Paraditen e sotme, Forcat Speciale në Kumanovë gjatë një stërvitjeje janë parë duke brohoritur në gjuhën e tyre “Këtu është Maqedoni, le ta dinë të gjithë”.
Videoja është bërë virale në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera duket se forcat e armatosura janë të shoqëruara nga furgonë dhe makina policie, të cilat po patrullojnë dhe brohorasin “Do të luftojmë për Maqedoninë”.
Patrullimi është bërë gjatë një stërvitjeje, megjithëse për herë të parë ndodh që në Kumanovë pjesëtarë të njësive speciale të dalin jashtë kazermave për stërvitje. Ky patrullim dhe stërvitje nuk është zhvilluar as në lagjet e banuara kryesisht me maqedonas apo në park, por në rrugën kryesore të tregut dhe pranë Lagjes së Trimave.
Ky veprim vjen vetëm dy ditë para, kur studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut më 18 maj do të dalin sërish në protestë për të kërkuar të drejtën e tyre legjitime që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe.









