Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protestë në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të drejtës për zhvillimin e provimeve në gjuhën amtare, ndërsa reagimet publike për këtë çështje po shtohen dita-ditës.
Në mbështetje të tyre ka dalë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, i cili ka përcjellë një mesazh simbolik për rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes gjuhës shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani ka ndarë disa vargje nga poema “Gjuha Shqype” e Gjergj Fishtës, duke vënë theksin te rëndësia e mbrojtjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht dallimeve krahinore apo fetare.
Diplomati ka veçuar vargjet:
“Pra, shqyptarë çdo fes qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta…”
Mesazhi i tij vjen në një moment të ndjeshëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ku debati mbi përdorimin dhe respektimin e gjuhës shqipe ka nxitur reagime të shumta dhe organizime protestash nga studentët shqiptarë në Shkup./Klankosova.tv








