Prodhuesit vendor ballafaqohen me konkurrencë jolojale në treg

Prodhuesit vendor vazhdojnë të përballen me probleme dhe vështirësi në të bërit biznes, duke mos pasur lehtësira nga shteti.

Mungesa e energjisë elektrike dhe çmimi i lartë, konkurrenca jolojale në treg, kamatat e larta të kredive, politika jo të favorshme fiskale janë vetë disa nga problemet që ballafaqohen prodhuesit vendor.

Kompania “Konsoni” është njëra nga kompanitë më të suksesshme të prodhimit të vezëve dhe mishit të zogut në Kosovë. Kjo kompani me seli në Livoç të Poshtëm të Gjilanit merret me prodhimin e vezëve, rritjen, kultivimin dhe therjen e zogjve të rinj, si dhe plasimin e tyre në tregun e brendshëm.

Në një intervistë për “Fokusi.info”, pronari i kompanisë “Konsoni”, Agim Sahiti deklaroi se kompania me prodhimin e mishit ka filluar në vitin 2008, kurse me prodhimin e vezëve disa vite më herët. Ai tha se kompania jonë bënë rritjen e zogjve të mishit, therjen, paketimin dhe plasimin në treg.

Sipas Sahitit, në fillim fabrika kishte një kapacitet për therjen e 250 zogjve në orë, ndërsa tani ka një kapacitet për therjen e 1500 zogjve brenda një ore. Sipas tij, për shkak të importit të madh të mishit, kapacitetet ekzistuese nuk i shfrytëzojmë. Kurse, për momentin i therim 3000 copa në ditë, theksoi Sahiti. Numri aktual i punëtorëve  është rreth 100.

Ndërkaq, sa i përket shitjes. Sahiti deklaroi se shitjen e prodhimit e bëjnë në marketet e tyre, kurse pjesën tjetër në marketet e ndryshme në Kosovë. Ndërsa, ai tha se nuk eksportojnë jashtë Kosovës.

Sahiti u ankua nga konkurrenca jolojale e mishit në tregun e brendshëm. Ai tha se konkurrenti kryesor i “Konsoni-t”, por edhe i kompanive të tjera që merren më produkte të mishit, janë Brazili, Argjentina, SHBA, ku mishin e shpezëve e plasojnë në tregun kosovarë me çmime shumë të ulëta.

“Mungesat e shpeshta të energjisë elektrike dhe çmimi i lartë, konkurrenca jolojale në treg, mungesa e subvencioneve për zogj të mishit, mosmbrojtja e prodhimit nga importi janë disa nga sfidat me të cilat ballafaqohemi, tha në fund Sahiti./Fokusi.info/