Peticion për transmetimin e Botërorit 2026 në RTK, kërkohet qasje falas për qytetarët e Kosovës

Një peticion i nisur në platformën Change.org po kërkon që Kampionati Botëror i Futbollit 2026 të jetë i qasshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes transmetuesit publik, RTK.

Në arsyetimin e peticionit thuhet se platformat televizive me pagesë paraqesin një barrë financiare për shumë familje, duke lënë mijëra tifozë, fëmijë dhe të rinj pa mundësinë për të ndjekur ngjarjen më të madhe sportive në botë.

Nismëtarët theksojnë se Botërori nuk është vetëm një turne futbolli, por një ngjarje globale që bashkon njerëzit, familjet dhe komunitetet, duke krijuar kujtime që zgjasin gjatë gjithë jetës. Sipas tyre, RTK-ja, si transmetues publik, ka misionin të ofrojë përmbajtje me interes të gjerë shoqëror dhe kombëtar, ndërsa Kampionati Botëror konsiderohet një prej ngjarjeve që përmbush këtë mision.

Në peticion thuhet gjithashtu se qytetarët e Kosovës kanë kontribuar ndër vite në financimin e RTK-së dhe se kanë të drejtë të presin që ngjarjet më të rëndësishme sportive me interes publik të jenë të qasshme për të gjithë.

Peticioni është publikuar në Change.org dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse që të sigurojnë transmetimin e Botërorit 2026 pa pagesë për qytetarët e Kosovës.

linku: Petition · Sigurojeni transmetimin e Botërorit 2026 në RTK – Albania · Change.org