Përleshja për banesën në Veternik – lirohet Mustafë Grainca, ja historia e plotë e incidentit

Një mosmarrëveshje për blerjen e një banese në lagjen Veternik të Prishtinës, objekti i së cilës është ende në fazë ndërtimi, përfundoi me konflikt fizik të martën.

Dy persona, përfshirë pronari i kompanisë investuese “Erta Invest”, Mustafë Grainca, dyshohen për sulm ndaj blerësit të një apartamenti. Viktima është një 28-vjeçar me inicialet I.T.

Grainca, ish-zëvendësministër i Financave në Qeverinë “PAN” gjatë periudhës 2017-2019, pas ndalimit u lirua në procedurë të rregullt.

I dyshuari tjetër, Bujamin Ramuka, u dërgua në mbajtje me urdhër të prokurorit të rastit, njoftoi Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të mërkurën.

“Janë arrestuar dy të dyshuar mashkull kosovar, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, tha Policia në raport.

Konflikti lidhej me një kontratë të noterizuar për blerjen e një banese, ku blerësi kishte kërkuar nga investitori kompensimin e qirasë deri në përfundimin e banesës. Sipas kontratës së noterizuar, banesa ishte paraparë të përfundohej në fund të vitit 2024.

Por kjo nuk kishte ndodhur.

Blerësi, i cili siç mëson Paparaci është fizioterapeut me profesion, saktësisht një muaj më parë kishte paraqitur në gjykatë një propozim për përmbarim ndaj investitorit “Erta Invest”, duke kërkuar pagesën e qirasë për 18 muaj, përkatësisht për periudhën nga janari 2025 deri në qershor 2026.

Një muaj pasi inicioi në gjykatë propozimin për përmbarim, I.T. shkoi të martën në zyrat e kompanisë “Erta Invest” në Veternik, ku pas fjalosjes me dy të dyshuarit, situata eskaloi në konflikt fizik.

I kontaktuar nga Paparaci, viktima I.T. tha të mërkurën përmes telefonit se u sulmua fizikisht nga të dy të ndaluarit për incidentin e të martës. Ai tha se nuk kërkonte asgjë përpos një shume të vogël që parashihej në kontratë.

Ndërkaq, kompania Erta Invest mohon përgjegjësinë për kontestin që i parapriu incidentit.

Sipas kompanisë, ajo nuk mban përgjegjësi për kërkesat e I.T., pasi banesa në fjalë nuk ishte blerë drejtpërdrejt nga “Erta Invest”, por nga një nënkontraktor i projektit.

Në një deklaratë me shkrim për Paparacin, kompania tha se mosmarrëveshja e ka zanafillën në një marrëveshje të vitit 2022 ndërmjet Erta Invest Sh.P.K. dhe kompanisë P&I Sh.P.K., në pronësi të Isa Elezit.

“Sipas Erta Invest, njëra nga këto banesa ishte shitur nga Isa Elezi te I.T., sipas kushteve të dakorduara mes tyre, përfshirë çmimin për metër katror dhe afatin e përfundimit të banesës. Kompania pretendon se nuk ishte konsultuar paraprakisht për këtë shitblerje, por ishte përfshirë vetëm në fazën e hartimit të aktit noterial ndërmjet Erta Invest dhe blerësit, mbi bazën e marrëveshjes së arritur ndërmjet Isa Elezit dhe I.T.”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Erta Invest thotë se, pas përfundimit të objektit ku ndodhet banesa, I.T. kishte kërkuar nga kompania kompensimin për vonesën në dorëzimin e banesës.

Sipas saj, menaxhmenti i shitjes e kishte udhëzuar fillimisht që kërkesën ta adresonte te shitësi i tij, Isa Elezi, pasi pagesat ishin bërë ndaj tij. /Paparaci.com