Drejtori i përgjithshëm i qumështores “Vita”, Artan Spahija, ka mbajtur konferencë për media një ditë pasi në fabrikë u zhvillua një aksion inspektues, duke sqaruar rrethanat që çuan në pezullimin e përkohshëm të prodhimit.
Ai tha se vendimi për ndërprerjen e aktivitetit nuk është marrë nga institucionet shtetërore, por nga vetë bordi i kompanisë, në pritje të rezultateve të analizave laboratorike.
Spahija bëri të ditur se kontrolli është zhvilluar pas një vendimi të ministrit në detyrë për inspektim urgjent të qumështores.
Kurse, Lekë Sahatçiu, drejtor ligjor i kompanisë tha se shqetësuese për ta mbetet përbërja e personave që kanë marrë pjesë në inspektim.
“Ajo që ka qenë shqetësuese lidhet me përbërjen e personave që kanë qenë aty. Nuk kanë qenë vetëm inspektorë, sepse inspektorë kanë qenë deri në pesë. Kemi pasur një përbërje politike; ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent i yni. Vendimi i ministrit ka qenë joligjor. Arsyeja pse ne kemi reaguar është se në atë përbërje ka qenë këshilltarja e ministrit dhe një konkurrent tjetër i yni”, ka thënë ai.








