Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpjeguar procedurat parlamentare që duhet të ndiqen pas vendimit të PDK’së dhe LVV’së për të proceduar me një projektligj të ri për Dhomat e Specializuara, i cili do të bazohet në tekstin e ligjit të miratuar në Kuvendin e Kosovës në tetorin e këtij viti.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Cakolli ka bërë të ditur se Ligji për Dhomat e Specializuara, i miratuar më 6 tetor dhe i kthyer për rishqyrtim nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, ende duhet të marrë një epilog procedural në Kuvend.
Sipas tij, Rregullorja e Kuvendit përcakton afat prej katër javësh për përgatitjen e raportit nga komisioni përgjegjës. Meqë vendimi i Presidentes i është përcjellë Kuvendit më 26 tetor, ky afat përfundon të hënën, më 23 nëntor.
Cakolli ka theksuar se ligji konsiderohet i pamiratuar nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbysë veton e Presidentes Shiroka-Pula me së paku 61 vota.
“Sa i përket Ligjit për Dhomat e Specializuara, të miratuar më 6 tetor dhe të kthyer për rishqyrtim nga Presidentja, Rregullorja e Kuvendit përcakton një afat prej katër javësh për përgatitjen e raportit nga komisioni përgjegjës. Duke marrë parasysh se vendimi i Presidentes i është përcjellë Kuvendit më 26 tetor, ky afat përfundon të hënën, më 23 nëntor. Ligji konsiderohet i pamiratuar nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbysë veton e Presidentes me së paku 61 vota. Nëse partitë kanë vendosur të mos e mbështesin më tekstin aktual, kjo çështje duhet të marrë epilog procedural në Kuvend”, ka thënë Cakolli për Express.
Sa i përket mundësisë së procedimit me një projektligj të ri për Gjykatën Speciale, Cakolli ka sqaruar se kjo do të përbënte një nismë tërësisht të re legjislative, pavarësisht ngjashmërive që mund të ketë me tekstin e mëparshëm.
Kjo nënkupton se projektligji i ri do të niste procedurat nga zeroja dhe do t’u nënshtrohej të gjitha afateve të parapara me Rregulloren e Kuvendit.Nëse nisma propozohet nga deputetët, ajo duhet të mbështetet nga së paku gjashtë deputetë dhe fillimisht t’i dërgohet Qeverisë për mendim. Qeveria ka afat deri në 30 ditë për t’u përgjigjur.
Pas marrjes së mendimit të Qeverisë, ose përfundimit të afatit për përgjigje, nis procedura parlamentare. Shqyrtimi i parë nuk mund të mbahet pa kaluar dy javë nga shpërndarja e projektligjit te deputetët. Ndërkaq, pas miratimit në parim, parashihen 15 ditë për propozimin e amendamenteve, shqyrtimi në komisionin përgjegjës dhe deri në 15 ditë të tjera për shqyrtimin nga komisionet e përhershme, para votimit në lexim të dytë.
Sipas Cakollit, në procedurë të zakonshme, miratimi i një projektligji të tillë mund të marrë rreth dy deri në tre muaj nga momenti i dorëzimit.Kësisoj, nëse nisma e re dorëzohet javën e ardhshme, në skenarin optimal dhe realist, ajo mund të shndërrohet në ligj vetëm në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, Cakolli ka bërë të ditur se afatet mund të shkurtohen nëse Qeveria jep mendimin më herët dhe Kuvendi përdor mekanizmat proceduralë për përshpejtimin e shqyrtimit.
Rregullorja e Kuvendit parasheh që, me kërkesë të Qeverisë ose të së paku 30 deputetëve, projektligjet që ndërlidhen me sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo çështjet buxhetore dhe financiare mund të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar.
Por, Cakolli ka paralajmëruar se zbatimi i kësaj procedure për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të kërkonte arsyetim të veçantë për përmbushjen e kushteve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kuvendi mund të vendosë shmangien nga afatet procedurale me dy të tretat e votave të deputetëve të pranishëm, por kjo mundësi nuk është e pakufizuar dhe nuk duhet të cenojë kërkesat kushtetuese për një proces të rregullt ligjvënës.
“Në këtë rast, shqyrtimi i parë mund të mbahet pas 48 orësh nga shpërndarja e projektligjit, ndërsa shqyrtimi i dytë pas së paku 72 orësh nga miratimi në parim. Pra, teorikisht, procedura parlamentare mund të përmbyllet brenda pesë ditësh nga shpërndarja e projektligjit, nëse paraprakisht është marrë edhe mendimi i Qeverisë. Megjithatë, për ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, zbatimi i kësaj procedure do të kërkonte arsyetim të veçantë mbi përmbushjen e kushteve të Rregullores. Kuvendi mund të vendosë edhe shmangien nga afatet procedurale me dy të tretat e deputetëve të pranishëm, por kjo mundësi nuk është e pakufizuar dhe nuk duhet të cenojë kërkesat kushtetuese për një proces të rregullt ligjvënës”, ka deklaruar ai.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK’së, Vlora Çitaku, ka deklaruar sot në një konferencë për media se Ligji për Gjykatën Speciale do të rikthehet në Kuvend dhe se për këtë janë dakorduar me kreun e LVV’së Albin Kurtin dhe se kanë marrë zotimin e Qeverisë së Kosovës për përkrahje.
“Projektligji do të ketë bazë tekstin që është miratuar në dy leximet në Kuvend. Mbi atë tekst, do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht, për t’iu dhënë çlirimtarëve mbështetje konkrete shtetërore. Me z. Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Pastaj u pajtuam për rrugën ligjore që do të ndjekin”, ka thënë Çitaku sot.
Lgji i ri për Specialen ishte inicuar nga PDK pas dënimit të katërshes së UÇK’së nga Haga. Miratimi i tij në Kuvend ishte realizuar pas marrëveshjes me LVV’në për votimin e presidentes.
