Pejë: Aksion kundër kontrabandës, sekuestrohen mallra me vlerë 30 mijë euro

Njësitë relevante të Policisë së Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Njësinë Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës, kanë realizuar një aksion kontrolli në një objekt dhe në veturën e një të dyshuari, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar mallra të padeklaruara dhe të dyshuara si të kontrabanduara.

Në mesin e tyre janë një iPad, 160 koka mbushëse me rrymë të markës Apple, 13 telefona të mençur të tipit iPhone me modele të ndryshme, 13 telefona celularë të markave dhe modeleve të ndryshme, si dhe dy orë inteligjente Apple Watch. Gjithashtu janë gjetur edhe mallra të markës Samsung.

Sipas vlerësimit të zyrtarëve doganorë, vlera e mallrave të sekuestruara arrin në rreth 30 mijë euro.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar me urdhër të prokurorit kompetent, ndërsa rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin e kontrabandimit të mallrave do të vazhdojnë.