Kosova në projektin amerikan për gazin, Rexhepi: Do të krijonte siguri energjetike, ekonomike e ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke i kërkuar hapur Kosovës që t’i bashkohet projektit amerikan të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG).

Ndërsa, kjo e fundit vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Jugperëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Lidhur me këtë kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, për Ekonomia Online ka folur kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi.

Ai, ka thënë se mos kyçja e Kosovës në këtë projekt mund të ketë pasoja direkte ndaj kryeministrit ën detyrë, Albin Kurtit, ndërsa pasoja indirekte ndaj institucioneve dhe popullit të Kosovës.

“Sikurse çdo qytetar që merret pak me politikë, jam shumë i shqetësuar, ajo është një arsye e thjeshtë, përpos njëfarë forme një mosrespektim i një kërkese shumë të drejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një fakt tjetër shumë shqetësues që Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Jugperëndimor, e cila nuk është e kyçur në këtë projekt, andaj është një fakt që mundet me pasë elemente dhe pasoja direkte ndaj përfaqësuesit kryesor të qeverisë së Kosovës, zotit Kurti, mirëpo në mënyrë indirekte edhe ndaj institucioneve të Kosovës, mirëpo çka është më qenësorja edhe ndaj vetë popullit të Kosovës, sepse dihet që lidhmëria mes popullit amerikan dhe popullit të Kosovës është shumë e fuqishme, mirëpo për mosveprime të caktuara nga institucionet qendrore normalisht mund të ketë pasoja ose veprime ose kundraveprime nga institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.

Rexhepi tha se nëpërmjet kyçjes së Kosovës në këtë projekt, gazit rus i bllokohet hyrja përmes territoreve të SHBA-së në Ballkan, Evropë e më tutje.

“Derisa ne sot diskutojmë, dje në SHBA ka filluar një forum global për energjinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilin forum ka marrë pjesë edhe sekretari për energji të SHBA-së edhe ku po zhvillohet një debat shumë i fuqishëm për të ardhmen e zhvillimit të energjisë, jo vetëm në SHBA, mirëpo edhe në botë, çka është ndoshta edhe më qenësorja është fakti që nëpërmes këtij veprimi Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kyçjen e Kosovës ia bllokojnë veprimet ose hyrjen e gazit rus nëpërmes territoreve ose objektivave ose synimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan, Evropë edhe më tutje. Mirëpo, kjo është edhe një formë tjetër sepse në shikim të parë duket se është vetëm një veprim i thjeshtë, gazi, po këto janë përfitime ekonomike që munden me pasë Rusia ose aleatët e tyre, mirëpo nëpërmes përfitimeve ekonomike, Rusia mundet të bëjë veprime të caktuara, në momente të caktuara, siç është rasti i pas fillimit të luftës Rusi – Ukrainë, Evropa ishte në panik, posaçërisht Gjermania, sesi do të furnizohet me energjinë e tubacionit e Rusisë që janë në Evropë”, deklaroi ai.

Ai po ashtu theksoi se kjo kyçje përveç sigurisë energjetike do të siguronte edhe siguri ekonomike, politike dhe ushtarake.

“Gjithsesi, jo vetëm siguri energjetike, këtu janë shumë faktorë të kyçur. Do të siguronte një siguri ekonomike, një siguri politike, një siguri ushtarake më të fuqishme, sepse vetë fakti i hyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me tubacion e fuqizon atë momentumin ose atë forcën e vetë, ose atë ndikimin e vetë, ose atë prezencën e vetë, ose atë interesin e vetë për Kosovën dhe Ballkanin, por normalisht përmes kësaj forme do ta fuqizonte prapë edhe sigurinë edhe shume elemente të tjera, domethënë është mënyrë zingjirore”, tha ai.

Kurse, sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rexhepi tha se nuk janë të njëjta si më parë.

“Raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, te qytetari i thjeshtë, te popullsia, janë shumë të mira, shumë të fuqishme, normalisht duke hequr një numër të caktuar të njerëzve të cilët janë të painformuar, ndoshta të dirigjuar, ndoshta të papjekur për veprime politike, deklarata politike, ose kanë çka po di unë, formë tjetër të interesit. Mirëpo, raportet Kosovë – SHBA, për gjithë ata që i kanë përcjellur ngjarjet, vërehet që nuk janë ato që kanë qenë përpara, sepse ka pasur shumë gafe, edhe në të kaluarën, mirëpo posaçërisht gjatë qeverisjes së zotit Kurti, ka pasur gafe të cilat i kanë larguar insitucionet qendrore mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.”, u shpreh ai.

Ditë më parë e  ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, i ka bërë thirrje Kosovës të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara përmes projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke thënë se kjo do t’i ndihmonte ta sigurojë të ardhmen e vet energjetike.

Prattipati tha se “së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krah”.

Në opinionin e saj, Prattipati tha se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji dhe citoi të dhënat e Doganës së Kosovës, se vendi ka shpenzuar 735 milionë euro në importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.