PDK kërkesë zyrtare Deharit: Thirrni vazhdimin e seancës nesër; në 11:00 do të jemi në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i është drejtuar sot me kërkesë zyrtare deputetit Avni Dehari, në cilësinë e tij si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, që nesër, më 12 gusht 2026, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Kjo parti thotë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese.

Megjithatë, tejkalimi i këtij afati, sipas PDK-së, nuk e shuan detyrimin për konstituimin e Kuvendit.

“Përkundrazi, obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thonë nga kjo parti.

Prandaj, PDK tha se ka kërkuar që pa asnjë vonesë të mëtejshme të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit për të cilin kanë marrë besimin e qytetarëve.

Pavarësisht nëse Dehari e thërret këtë seancë apo jo, GP i PDK-së ka paralajmëruar se do të jetë nesër, më 12 gusht, në orën 11:00, i pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, kur përmbushet edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës sipas rregullores.

“PDK ka ftuar edhe të gjitha grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që nesër të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit, për të dëshmuar gatishmërinë e tyre politike dhe vullnetin për ta përmbushur besimin që qytetarët ua kanë dhënë”, thanë nga kjo parti.

Letra e plotë:

Letra e PDK-së drejtuar Avni Deharit