Menu Close

Pas reagimeve për deklaratën ndaj asamblistit që kërkoi të shkonte në xhuma, reagon Fehmi Kupina

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka reaguar pas kritikave që pasuan deklaratën e tij gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal, kur një asamblist kërkoi leje për të shkuar në namazin e xhumasë.

Përmes një sqarimi publik, Kupina ka thënë se deklarata e tij ishte bërë në kontekstin e një diskutimi procedural lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit, duke mohuar se kishte pasur për qëllim të cenonte bindjet apo praktikat fetare të dikujt.

Ai ka theksuar se liria e besimit dhe praktikimit të fesë është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, të cilën, siç ka thënë, e respekton plotësisht.

“Duke qenë edhe vetë njeri i besimit, e kuptoj rëndësinë shpirtërore dhe personale që praktikat fetare kanë për secilin individ. Respektimi i bindjeve fetare, për mua, nuk është vetëm detyrim kushtetues, por edhe një vlerë njerëzore dhe morale”, ka shkruar Kupina.

Megjithatë, ai ka shprehur keqardhje nëse formulimi i përdorur gjatë seancës ka krijuar përshtypjen e mungesës së respektit ndaj praktikave fetare.

“Megjithatë, jam i vetëdijshëm se komunikimi institucional kërkon kujdes dhe përgjegjësi të veçantë. Në këtë frymë, shpreh keqardhje nëse formulimi i përdorur ka krijuar përshtypjen e mungesës së respektit ndaj praktikave fetare”, thuhet në reagimin e tij.

Kupina ka konsideruar se deklarata e tij nuk duhet të shndërrohet në debat mbi besimin fetar dhe as të bëhet burim polarizimi publik.

Ai ka shtuar se një formulim i shkëputur nga konteksti nuk duhet të interpretohet si qëndrim ndaj fesë apo ndaj personave që e praktikojnë atë.

“Besimi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë objekt kundërshtimi apo përçarjeje nga ana ime. Ai është çështje e ndërgjegjes individuale, e cila meriton respekt, jo paragjykim”, ka deklaruar Kupina.

Në fund, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës ka thënë se respekton të drejtën e mediave dhe qytetarëve për kritikë dhe debat publik, ndërsa ka theksuar se angazhimi i tij institucional mbetet ushtrimi i përgjegjësive me paanshmëri, dinjitet dhe respekt për të drejtat dhe liritë e secilit qytetar.

Reagimi i Kupinës vjen pasi gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, deklarata e tij “Çka kam lidhje unë që ki me shku me xhuma?” ndaj një asamblisti që kërkoi leje për të shkuar në namazin e xhumasë nxiti reagime publike.

Related Posts