Federata e Sindikatës së Pavarur (FSP) të Postë Telekomit të Kosovës (PTK) është duke e përcjellë nga afër procesin pas njoftimit zyrtar nga Telekomi i Kosovës për mosvazhdim të kontratës me Z-Mobile pas skadimit të saj me 30 korrik të këtij viti. Për FSP-PTK është i papranueshëm deklarimi i menaxhmentit se periudha e tranzicionit do të zgjasë 30 deri 120 ditë.
Vendimi i shkruar i menaxhmentit nuk u referohet as 30 ditëve e as 120 ditëve, por i referohet vetëm nenit 13 të kontratës, konkretisht periudhës së tranzicionit. Por, në nenin 13, konkretisht pika 13.1 dhe 13.2 u referohen tranzicionit vetëm në rastet e shkëputjes së parakohshme të kontratës, e jo tranzicionit pas skadimit të kontratës, siç është rasti ynë, thekson FSP i PTK-së përmes një deklarate për opinionin.
Prandaj, pasi kontrata aktuale ka skaduar sipas afatit e nuk është ndërprerë parakohshëm, në këtë rast për FSP-PTK koha e tranzicionit të kontratës aktuale ka përfunduar me 30 korrik, pikërisht në datën e skadimit të kontratës, sepse menaxhmenti i Telekomit të Kosovës e ka njoftuar Z-Mobile qysh më 24 qershor se kontrata aktuale nuk do të vazhdohet.
Megjithatë, FSP-PTK e ka toleruar tranzicionin 30 ditë jo pse i takon Telekomit, por vetëm e vetëm që t’u dhënë kohë ARKEP-it dhe Manaxhmentit të Telekomit që t’i kthehen numrat e marrë Telekomit. Por, duke u bazuar në përmendjen e 30 deri 120 ditëve tranzicion nga menaxhmenti i Telekomit, si dhe duke u bazuar në paqartësinë e ARKEP për të marrë vendime lidhur me kthimin e numeracionit, u bëjmë me dije të gjitha institucioneve se, pas datës 31 gusht nuk do të ofrohet më shërbime për Z-Mobile. Kërkojmë posaçërisht nga ARKEP që t’u përmbahet obligimeve të veta ligjore dhe konform edhe kërkesës së fundit të Komisionit Hetimor Parlamentar, t’ia kthejë numeracionin Telekomit të Kosovës. Me këtë rast e falënderojmë Komision Hetimor Parlamentar për përgjegjësinë dhe punën e madhe në funksion të zbardhës së gjendjes në Telekom e posaçërisht në ndriçimin e fakteve rreth kontratës korruptive me Z-Mobile.
Prandaj, këtë paralajmërim me kohë të FSP-PTK ta merrni seriozisht ashtu që periudhën e tranzicionit ta përfundoni brenda 30 ditëve. Përndryshe, të gjitha pasojat e mundshme pas datës 31 gusht do t’i bartin institucionet përgjegjëse, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës si dhe ARKEP-i, përfundon deklarata e Këshillit Grevist të FSP-PTK-së.