OVL e UÇK-së, Kurtit: Mos e mbani Kosovën peng të agjendave partiake

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës institucionale në vend, duke e bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për moskonstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK shprehu kundërshtimin ndaj, siç e cilëson, mbajtjes së Kosovës “peng të llogarive partiake”, duke vlerësuar se vonesat në funksionalizimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë po dëmtojnë interesin shtetëror.

“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake të Albin Kurtit. Pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk funksionon, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është strategji. Është sulm ndaj rendit institucional dhe ndaj vetë sigurisë së shtetit”, thuhet në reagim.

Veteranët theksojnë se përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale e mban Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po e vendos interesin partiak mbi atë shtetëror.

“Përgjegjësinë kryesore e mban Albin Kurti. Refuzimi i tij për ta vënë interesin kombëtar mbi pushtetin partiak e thellon paqëndrueshmërinë dhe dëmton lidhjet me aleatët tanë strategjikë, mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet më tej në reagim.

OVL-UÇK shton se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, duke theksuar se sfidat me të cilat përballen veteranët dhe qytetarët kërkojnë veprim të menjëhershëm.

“Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi. As e ndonjë partie”, theksohet në reagim.

Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i bën thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojnë krijimin e institucioneve të reja.

“OVL-UÇK i bën thirrje Albin Kurtit dhe subjektit të tij që të ndërpresin lojërat me fatin e vendit, t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos e mbajnë Kosovën peng të agjendave personale. Kosova nuk ka kohë për të humbur e as luks për të pësuar dëme të mëtejshme diplomatike e ekonomike”, përfundon reagimi.