“Nuk do të jetë e largët dita kur ky burrë do ta drejtojë këtë vend”

Gazetari dhe aktori Jeton Zogiani ka ritheksuar mbështetjen për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke shprehur bindjen se një ditë ai do ta drejtojë Kosovën. “Besoj fort që nuk do të jetë e largët dita kur ky burrë do ta drejtojë këtë vend”, ka shkruar Zogiani në Facebook.

Ai ka nënvizuar se rruga politike e Ramës deri në atë pikë mund të jetë e vështirë, por ka theksuar se besimi i tij te Rama nuk ka ndryshuar. “E di që rruga deri aty ka me qenë shumë e vështirë, por besimi im nuk ka lëvizë asnjëherë. Kam besu te ai qysh nga viti 2021”, ka shtuar ai.

Sipas Zogianit, kryetari i Prishtinës ka qenë pengesë për disa persona brenda skenës politike, për shkak se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e lojërave të tyre. “Për mua, ai ka qenë pengesë për disa oportunistë dhe për një autokrat, sepse nuk pranoi me u ba pjesë e lojës”, ka shkruar Zogiani, pa specifikuar se kujt i referohej.

Ai ka thënë se, pavarësisht diskutimeve që zhvillohen në nivelet e larta politike, për të mbështetja që Rama vazhdon ta gëzojë mes qytetarëve është ajo që ka rëndësi. “Nuk më intereson çka flitet lart. Ajo që ka rëndësi është se njerëzit vazhdojnë me i besu këtij burri”, ka theksuar ai.

Në fund, Zogiani e ka përshkruar Ramën me tri cilësi: “I dijshëm. Punëtor. I pashëm, fiks”.

Qëndrimi i tij vjen pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbajtur të enjten, më 30 korrik, në të cilin delegatët votuan kundër shkarkimit të Lumir Abdixhikut, duke e lënë atë në krye të partisë.

Emri i Ramës është përmendur gjatë muajve të fundit në diskutimet për udhëheqjen e ardhshme të LDK-së, ndonëse ai nuk ka shpallur publikisht kandidaturë për drejtimin e partisë. Pas votimit të së enjtes, Abdixhiku deklaroi se, në rast se Rama kishte qenë i përfshirë në përpjekjet për ndryshime brenda LDK-së, atëherë kishte “gabuar rëndë”.