Një vit pa “hallin” e biletave: MPJ-ja nënshkruan kontratë gati gjysmë milioni euro për udhëtime

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga ministri në detyrë, Glauk Konjufca nuk do ta ketë më “hallin” e udhëtimeve për 12 muaj rresht, kjo pasi ky dikaster qeveritar ka arritur të nënshkruajë kontratë për gati gjysmë milioni euro për shërbime udhëtimi.

Sipas njoftimit nga E- prokurimi, MPJ ka siguruar shërbime udhëtimi për një vit, shkruan IO.

Sipas kontratës, fitues i këtij tenderi është operatori ekonomik f “AS Travel Club” SH.P.K., me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 497,014.00 euro.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 500,000 euro, ndërsa marrëveshja kornizë do të jetë në fuqi për një periudhë prej 12 muajsh.

Përmes kësaj kontrate, Ministria e Punëve të Jashtme do të mbulojë nevojat për shërbime udhëtimi gjatë kësaj periudhe.

Ministria e Punëve të Jashtme zhvillon rregullisht procedura të prokurimit për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve zyrtare të stafit diplomatik dhe zyrtarëve të institucionit, të cilat përfshijnë bileta ajrore dhe shërbime të tjera të ndërlidhura me udhëtimet. Marrëveshjet kornizë për këto shërbime u mundësojnë institucioneve të sigurojnë shërbime sipas nevojave gjatë periudhës së përcaktuar kontraktuale.