Ngjarja e rëndë në Itali: Shoferi akuzohet për “masakër”, dy prej të lënduarve iu amputohen këmbët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Modenës në Itali, ku një automjet ka hyrë me shpejtësi dhe ka goditur një grup këmbësorësh dhe duke lënduar rëndë disa persona, duke shkaktuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet italiane. Disa nga të lënduarit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë ende në vijim.

Siç raportojnë mediat italiane, dy nga të plagosurit më rëndë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale për amputimin e gjymtyrëve të poshtme, për shkak të dëmtimeve ekstreme të marra nga përplasja. Një grua 55-vjeçare mbetet në gjendje kritike, pasi u shtyp mes automjetit dhe vitrinës së një dyqani. Ndërkohë, edhe dy persona të tjerë, të moshës 52 dhe 69 vjeç, ndodhen në gjendje të rëndë, transmeton Klankosova.tv.

Pas incidentit, autoritetet italiane reaguan menjëherë në nivelin më të lartë shtetëror. Kryeministrja e Italisë anuloi një vizitë të planifikuar jashtë vendit dhe u nis drejt Modenës, ndërsa Presidenti i Republikës paralajmëroi gjithashtu një vizitë në qytet, duke falënderuar qytetarët që ndihmuan në neutralizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Kryebashkiaku i Modenës deklaroi se autori i dyshuar kishte qenë më herët nën vëzhgimin e shërbimeve të shëndetit mendor për probleme psikologjike. Sipas tij, të gjitha indiciet tregojnë për një akt individual të rëndë, jashtë çdo logjike racionale.

I dyshuari është një 31-vjeçar me shtetësi italiane dhe origjinë marokene. Mediat italiane raportojnë se ai kishte studiuar ekonomi dhe nuk kishte precedentë penalë, por kohët e fundit kishte shfaqur probleme të natyrës mendore.

Prokuroria ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht motivet dhe dinamikën e ngjarjes. Gjatë incidentit mbeti i lënduar edhe një person që tentoi të ndalonte autorin pasi ai doli nga automjeti.

Autoritetet vijojnë punën për rindërtimin minutë pas minute të ngjarjes, ndërsa gjendja e disa prej të plagosurve mbetet ende kritike.