“Nëse të kafshon qeni, a kthehesh ta kafshosh?”- Dritan Goxhaj i përgjigjet Ramës: E mirëkuptoj në hallin që ka

Dritan Goxhaj, ka reaguar pas deklaratave dhe akuzave të kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë për mediat, Goxhaj deklaroi se sulmet e kreut të qeverisë ndaj tij dhe grupit koordinator të protestave ishin të pritshme.

“Unë e mirëkuptoj Ramën në hallin që ka, dhe nuk merrem as me Ramën dhe as me ata që ka lëshuar Rama dhe që ka Rama përreth. Rama do shkojë tek shpifjet, do shkojë tek gjithçka, do shkojë tek akuzat, nuk ka dallim. Do shkojë tek nëna, tek motra, tek babai, do merret me të gjithë, do merret me të gjithë familjet, timen por edhe të atyre që janë tek grupi koordinator. Të gjithë do i sulmojë”, u shpreh Goxhaj.

Më tej, ai i bëri thirrje anëtarëve të grupit koordinator që të ruajnë qetësinë përballë këtyre reagimeve, duke përdorur një metaforë se “qeni që të kafshon në rrugë, nuk mund t’i kthehemi duke e kafshuar dhe ne”.

“I bëj thirrje grupit koordinator që ta ketë parasysh kur ecën në rrugë, gjithëkush ecën në rrugë, i ka qëlluar të eci në rrugë, në rast se të kafshon një qen, ti çfarë bën? Kthehesh e kafshon dhe ti qenin?”, tha ai.

Deklaratat e Goxhajt vijnë pas një reagimi të mëhershëm të kryeministrit Rama, i cili e cilësoi atë si “manipulator, gjysmë taleban e gjysmë mitoman” dhe publikoi një mesazh që, sipas tij, i ishte dërguar nga një qytetar ku përdorej gjuhë fyese ndaj tij. Po ashtu, përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste u përfshinë në reagime publike kritike ndaj Goxhajt pas prezantimit të kërkesave të protestës.