“Nëse shënoj kundër Senegalit, do të festoj duke luajtur flautin…” E tha dhe e bëri. Në mbrëmjen kur u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Francës, Kylian Mbappé mbajti premtimin që i kishte bërë disa ditë më parë prezantuesit James Corden.
Arsyeja? Sulmuesi zbuloi se kur ishte i vogël, prindërit e tij e kishin këshilluar të mësonte të luante flaut. Kështu, pasi bëri festimin e tij të zakonshëm me krahët e kryqëzuar, sulmuesi i Real Madridit simuloi se po luante instrumentin muzikor.
Në një segment të transmetuar nga “Fox Sports”, gjatë bisedës në “Carpool Karaoke”, Corden i dha Mbappé-së një flaut dhe i kërkoi të luante disa nota. “Kam harruar gjithçka”, – tha me shaka sulmuesi, i vetëdijshëm se notat e para nuk ishin perfekte. Më pas tingulli u përmirësua dhe Corden i sugjeroi ta përdorte si festim të ri golash. “Do ta bëj për ty”, – iu përgjigj francezi, një premtim që e mbajti.

Pas ndeshjes, Mbappé komentoi paraqitjen e tij dhe të skuadrës: “Sinqerisht nuk besoj se jemi nisur tashmë drejt suksesit, por është gjithmonë e rëndësishme ta nisësh mirë një kompeticion. Kjo të jep pak më shumë qetësi, aq sa mund të ketë qetësi në një Botëror. Pamë vështirësitë që hasën skuadrat e tjera. Sot nuk ishte një ndeshje e lehtë, por e dimë se mund të bëjmë diferencën në çdo moment”.
Më pas shtoi: “Nuk kam asnjë dëshirë hakmarrjeje ndaj atyre që më kritikojnë. Nëse do të luaja për ta dhe për t’i bërë të heshtnin, do të duhej të qëndroja në fushë deri në moshën 80-vjeçare. Unë luaj për të bërë histori dhe për vendin tim, si edhe për t’u siguruar që skuadra ime të shkojë në finale dhe të fitojë Kupën e Botës. Tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kundër Irakut duhet të fitojmë për t’u kualifikuar”.
The post “Nëse shënoj, do të festoj duke luajtur flautin”, Mbappé e mbajti premtimin: “Luaj për të bërë histori” appeared first on Telesport.








