“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu nga Skenderaj me dhuratë për Sala Jasharin

– Advertisement –

I riu, Fatjon Gashi, ka nderuar me një dhuratë deputeten e zgjedhur të PDK-së, Sala Jasharin, duke krijuar me copëza të imëta letre figurat e Nënës Salë dhe gjyshit Hamit.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari tha se ky punim u realizua nga dora e një të riu, i cili, sipas saj, në çdo ngjarje të rëndësishme historike e heroike ka dhuruar art në nderim të historisë.

“Fatjoni Gashi, autori i kësaj vepre, mua dhe axhën na nderoi me këtë dhuratë të veçantë, kushtuar heronjëve të familjes sonë.  Ai më tregoi se sa herë që mendja dhe duart e tij janë të angazhuara në një krijim të ri kushtuar luftës sonë, emocionet janë të pashmangshme, sepse, siç tha edhe vetë ai, ajo mbetet ende një plagë e hapur”, ka shkruar ajo.

Deputetja e zgjedhur shtoi se përkushtimi dhe disiplina e Fatjon Gashit ndaj artit dhe koha që ia kushton krijimtarisë jashtë shkollës janë vërtet motivim për të.

“Jam shumë e lumtur që kemi talente të tilla në Skenderaj! Një shembull i shkëlqyer për të rinjtë dhe për të gjithë ne. Mburremi me punën tënde, Fatjon! Qëndro gjithmonë i guximshëm dhe mos resht së synuari majat!”.