Ndërpritet mbushja e liqenit të Radoniqit pas derdhjes së qumështit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka ndërprerë mbushjen me ujë të liqenit të Radoniqit nga kanali furnizues i lumit Bistrica, pasi fermeri Tafë Çeku të shtunën publikoi një video duke hedhur qumësht.

Fermeri u ankua për mbylljen e qumështores “Vita” në Istog. Kjo qumështore u mbyll nga bordi i saj pas inspektimeve nga autoritetet. Rezultatet laboratorike ende s’janë bërë publike.

“K.R.U. “Gjakova” Sh.A. njofton opinionin publik se një person i quajtur Tafë Çeku ka publikuar video dhe fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit. Sipas ekspertëve të K.R.U. “Gjakova” Sh.A., qumështi paraqet një ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor. Shkencërisht, ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit dhe konsumin e oksigjenit, shton kërkesën për klor gjatë procesit të dezinfektimit dhe mund të favorizojë formimin e trihalometaneve (THM). Për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm dhe në përputhje me procedurat teknike, jemi të detyruar të ndërpresim për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe masave të nevojshme nga ekipet tona profesionale”, thuhet në njoftim të KRU “Gjakova”.

Kjo kompani ka bërë të ditur se e ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës e se do të ngrejë padi ndaj personit.

KRU “Gjakova” ka apeluar që qytetarët pakënaqësitë të mos i shfaqin në këtë mënyrë.

“Çdo ndotje ose dëmtim i burimeve ujore cenon interesin publik, duke pasur parasysh se nga Liqeni i Radoniqit furnizohen me ujë të pijshëm mbi 200 mijë banorë”, thuhet në njoftim.