Ndalohet kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, tentoi ta heqë shenjën “E dua Mitrovicën”

Inspektorati komunal i Mitrovicës së Veriut doli sot rreth orës 10:00 në lokacionin ku ndodhet tabela “E dua Mitrovicën”, me qëllim që ta largojë atë, ndërsa Policia e Kosovës ndaloi kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, dhe kryetarin ilegal të Komunës së Mitrovicës, të vendosur nga regjimi i Serbisë, Ivan Zaporozhac, transmeton Paparaci.

Para stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, ku u dërguan Zaporozhaci dhe Radojeviqi, u mblodhën anëtarë të Listës Serbe.

Në terren ndodhej edhe një kamion i kompanisë së angazhuar nga komuna, i cili do të duhej të përdorej për largimin e shkronjave nga konstrukcioni.

I pranishëm ishte një numër i madh i zyrtarëve policorë, si dhe disa automjete policore.

Tabela ku më herët, me alfabet cirilik, shkruhej “E dua Mitrovicën e Kosovës”, u hoq më 2 tetor të vitit të kaluar me asistencën e Policisë së Kosovës.

Në vend të saj, po atë ditë, u vendos një tabelë me alfabet latin ku shkruhet “E dua Mitrovicën”, së bashku me një zemër me ngjyrë të gjelbër./Paparaci.com