,

Nagavci thotë se ka rritje pagash prej 22% për mësimdhënësit

Sipas Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, mësimdhënësve në Kosovë do u rriten pagat për 22% pas publikimit të koeficientit nga qeveria e Kosovës. Koeficienti me Ligjin e Ri të Pagave do ta ketë vlerën 105 euro.

Sipas Nagavcit, paga do të jetë e dinjitetshme për të gjith sektorin e mësimdhënies.

“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive. Pagë bazë të dinjitetshme për mësimdhënësit tanë! Ligji për paga promovon punën e mësimdhënësve. Rritja prej 22% e më shumë nga paga aktuale, dëshmon për përkushtimin tonë ndaj mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë ajo në Facebook.

Ajo ka thënë se janë trajtuar kërkesat e punëtorëve të këtij sektori, me koeficientin e ri.

“Të vëmendshëm për të trajtuar drejtë kategoritë e personelit arsimor dhe nëpunësve tjerë publik, për herë të parë, mes plot tjerash, personeli arsimor i edukimit të hershëm, pozitat udhëheqëse në shkolla, psikologët dhe pedagogët do të marrin vëmendjen e merituar në koeficient. Askush nuk do të dëmtohet, të gjithë do të përfitojnë”, shtoi ajo.

Nagavci po ashtu ka thënë se do të ketë shtesa tjera për mësimdhënësit, përpos pagës bazë.

“Paga bazë është vetëm fillimi. Ligji promovon shtesat për mësimdhënës në bazë të performancës/licencimit. Ky është synimi jonë, nxitje të vazhdueshme monetare dhe jo monetare për performancë më të mirë të mësimdhënësve tanë. Rritja në paga duhet të jetë shpërblyese për mësimdhënësit e mirë dhe nxitje për mësimdhënie cilësore. Llogaridhënia do të jetë mekanizmi ynë që do të na garantojë se kjo pagë kthehet në përfitim për nxënësit tanë. Ligji për paga është fitore për të gjithë, por në arsim vëmendjen e kemi tek cilësia. Dhe, për këtë besoj shumë në vullnetin dhe përkushtimin e të gjithë mësimdhënësve për të ofruar mësimdhënie cilësore. Jemi së bashku në rrugëtimin tonë për një arsim më të mirë”, përfundoi ajo.

Related Posts