Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kanë bashkëpunim të mirë më Vetëvendosjen por se bashkëpunimi në këtë fazë është kufizuar vetëm në të bërit opozitë.
“ Me VV-në po bashkëpunojmë si subjektet opozitare dhe në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë. Tani për tani nuk mund të flas se çfarë bashkëpunimi do të kemi në të ardhmen”, ka thënë Mustafa gjatë një interviste në emisionin n’Shesh në RTK.
Ai ka thënë se si subjekt politik janë të hapur për bashkëpunim edhe me partitë tjera përjashtuar PDK-në.
“ Me PDK-në kemi rezerva. Lidershipi i kësaj partie është sillur keq dhe për këtë arsye jemi të rezervuar sa i përket bashkëpunimit me ta”, ka thënë Mustafa.
Duke folur për procesin zgjedhor brenda LDK-së, Mustafa ka thënë se po shkon mirë ndërsa nuk ka vendosur ende se a do të kandidoj edhe për një mandat në krye të partisë.
“ Nuk e kam menduar ende çështjen e kandidimit. Po pres përfundimin e procesit në degë dhe pastaj do të shohim vullnetin e anëtarësisë”, ka thënë ai.
Duke folur për polemikat ndërmjet deputetes Vjosa Osmani dhe nënkryetarit Lutfi Haziri për garën brenda LDK-së, Mustafa tha se kjo çështje janë tejkaluar dhe të gjithë po angazhohen për një proces të mirë zgjedhor.