Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, arrestimin e Marko Gjuriqit e ka quajtur të drejtë dhe të ligjshëm.
“Porosi e qartë për Serbinë se institucionet e Kosovës janë institucione të një shteti të pavarur, dhe se ato duhet të respektohen. Por politikisht, çfarëdo tensionimi i situatës në veri, mund të jetë hyrje në kompromise të reja me Serbinë”, thekson Murati në një status në rrjetin social “Facebook”.
“Këto kompromise mund të na fusin në ciklin e vazhdueshëm të dobësimit të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Është koha e fundit, të marrim iniciativën edhe në bisedimet me Serbinë, të ndërrojmë logjikën e këtyre bisedimeve dhe të vendosim reciprocitetin si bazë të zgjidhjeve të problemeve me Serbinë”, ka deklaruar Murati.