Shkruan: Burim Gjaka
Arsimi cilësor nuk është thjesht një proces i transmetimit të njohurive, por një sistem kompleks dhe i ndërlidhur, në të cilin mësimdhënia, mësimnxënia dhe rendi institucional përbëjnë shtylla të pandashme të suksesit arsimor. Në qendër të këtij sistemi qëndron disiplina, jo si instrument ndëshkimi, as si formë e autoritarizmit të tejkaluar, por si parakusht themelor për zhvillimin e procesit mësimor dhe formimin e qytetarëve të përgjegjshëm.
Në këtë kuptim, disiplina nuk nënkupton kufizimin e personalitetit apo të lirive të nxënësit. Përkundrazi, ajo nënkupton ndërtimin e një kulture të përgjegjësisë, në të cilën çdo veprim ka pasojat e veta, respektohen rregullat e përbashkëta dhe mbrohet e drejta e secilit për të mësuar në një mjedis të qetë e të sigurt. Liria individuale nuk mund të ushtrohet në dëm të së drejtës së të tjerëve. Megjithatë, realiteti i përditshëm në shkollat tona, veçanërisht në nivelin e dytë të arsimit parauniversitar (klasat VI–IX), po dëshmon një problematikë gjithnjë e më shqetësuese: dobësimin e disiplinës dhe të mekanizmave institucionalë për menaxhimin e saj. Kjo gjendje nuk po e cenon vetëm mbarëvajtjen e procesit mësimor, por po ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e rezultateve të të nxënit.
Kontrasti ndërmjet dy cikleve: Nga bashkëpunimi i ngushtë te autonomia pa përgjegjësi të mjaftueshme
Dinamika e sjelljes dhe e suksesit të nxënësve pëson ndryshime të dukshme gjatë kalimit nga niveli i parë (klasat I–V) në nivelin e dytë (klasat VI–IX) të arsimit parauniversitar. Në ciklin fillor, procesi i mësimnxënies dhe ruajtja e stabilitetit të sjelljes mbështeten kryesisht në një partneritet të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm ndërmjet mësuesit të klasës dhe prindërve. Roli i mësuesit si figurë qendrore edukative, komunikimi i rregullt me familjen dhe përfshirja e vazhdueshme e prindërve krijojnë një strukturë më të qëndrueshme mbikëqyrjeje dhe përgjegjësie. Në këtë fazë, nxënësi e ka më të qartë autoritetin edukativ dhe pritshmëritë që shkolla e familja kanë ndaj tij. Për pasojë, deri në përfundim të klasës së pestë, në shumë raste ruhet një stabilitet relativ si në sjellje, ashtu edhe në rezultatet akademike.
Me kalimin në nivelin e dytë, ky ekuilibër fillon të ndryshojë. Nxënësit hyjnë në periudhën e adoleshencës së hershme, një fazë e shoqëruar me ndryshime të rëndësishme emocionale, psikologjike dhe sociale. Në të njëjtën kohë, kalimi nga modeli i mësuesit të vetëm te mësimdhënësit e ndryshëm për secilën lëndë krijon një strukturë tjetër organizimi dhe komunikimi. Përgjegjësia për përcjelljen dhe menaxhimin e sjelljes shpërndahet ndërmjet disa mësimdhënësve, ndërsa koordinimi dhe vazhdimësia e ndërhyrjeve edukative bëhen më sfiduese.
Pikërisht në këtë pikë shfaqet një nga problemet kryesore: rritja e autonomisë së nxënësit e që fatkeqsisht nuk po shoqërohet gjithmonë me zhvillimin e duhur të ndjenjës së përgjegjësisë. Në vend që autonomia të shndërrohet në vetëdisiplinë dhe pjekuri, në raste të caktuara ajo manifestohet përmes mosrespektimit të rregullave dhe sfidimit të autoritetit shkollor. Si rrjedhojë, rënia e rezultateve akademike në këtë periudhë nuk duhet parë vetëm përmes aftësive individuale të nxënësve, por edhe përmes cilësisë së mjedisit në të cilin zhvillohet procesi mësimor. Kur mungojnë kushtet e nevojshme për përqendrim dhe angazhim, edhe potenciali i nxënësve mbetet i pashfrytëzuar.
Realiteti në klasë: Mësimdhënia e sakrifikuar përballë mungesës së disiplinës
Kjo problematikë bëhet edhe më e dukshme në përditshmërinë e klasës. Një numër i konsiderueshëm mësimdhënësish në nivelin e dytë të arsimit parauniversitar përballen me vështirësi të vazhdueshme në menaxhimin e sjelljeve të papërshtatshme të nxënësve. Në shumë raste, ora mësimore nuk zhvillohet sipas planifikimit pedagogjik, por shndërrohet në një përpjekje të vazhdueshme për të vendosur qetësinë, për të tërhequr vëmendjen dhe për të rikthyer rendin në klasë.
Mjafton të marrim një shembull konkret: nëse nga 45 minuta të një ore mësimore, 15 deri në 20 minuta shpenzohen për menaxhimin e sjelljeve problematike dhe rikthimin e vëmendjes së nxënësve, atëherë një pjesë e konsiderueshme e kohës së paraparë për mësimnxënie humbet. Nëse kjo situatë përsëritet në disa orë mësimore gjatë ditës dhe përgjatë gjithë vitit shkollor, humbja e kohës mësimore bëhet jashtëzakonisht e madhe. Kjo nuk është vetëm çështje e organizimit të orës, por një humbje reale e mundësive për përvetësimin e njohurive, zhvillimin e shkathtësive dhe arritjen e rezultateve të parapara me kurrikulë.
Për më tepër, pasojat e kësaj gjendjeje nuk i bart vetëm mësimdhënësi, por mbi të gjitha nxënësit që dëshirojnë të mësojnë dhe janë të gatshëm të angazhohen në procesin mësimor. Nuk mund dhe nuk duhet të lejohet që sjellja e papërshtatshme e një apo disa nxënësve t’ua cenojë të drejtën për arsimim, qetësi dhe zhvillim pjesës tjetër të klasës. Njëzet apo më shumë nxënës të tjerë nuk duhet të privohen nga mundësia për të përfituar nga ora mësimore për shkak të sjelljeve që nuk menaxhohen në mënyrë adekuate.
Këtu qëndron edhe një dimension tjetër i rëndësishëm i problemit: mbrojtja e të drejtave të fëmijëve nuk mund të kufizohet vetëm në mbrojtjen e nxënësit që shfaq sjellje të papërshtatshme, duke lënë në hije të drejtat e të gjithë të tjerëve. Çdo nxënës ka të drejtë të mësojë në një mjedis të sigurt, të qetë dhe stimulues. Prandaj, ndërhyrja ndaj sjelljeve që pengojnë procesin mësimor nuk duhet të shihet si cenim i të drejtave të nxënësit, por si pjesë e përgjegjësisë së shkollës për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithëve.
Një shkollë në të cilën mësimdhënësi detyrohet të shpenzojë një pjesë të konsiderueshme të orës duke menaxhuar mosdisiplinën, në vend që të zhvillojë procesin mësimor, e ka të vështirë ta përmbushë misionin e saj themelor. Në rrethana të tilla, arsimi cilësor rrezikon të mbetet vetëm një objektiv në dokumentet strategjike, pa u reflektuar sa duhet në realitetin e klasës.
Vakumi normativ dhe institucional: Mungesa e një udhëzimi të qartë për masat disiplinore
Përtej sfidave pedagogjike, kjo problematikë ka edhe një dimension të rëndësishëm ligjor dhe institucional. Një nga shqetësimet që kërkon vëmendje të veçantë është mungesa e një kornize të posaçme dhe të qartë procedurale për trajtimin e masave disiplinore në nivelin e dytë të arsimit parauniversitar (klasat VI–IX).
Në praktikën shkollore, mësimdhënësit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore shpesh përballen me paqartësi lidhur me mënyrën e trajtimit të rasteve të përsëritura të sjelljeve të papranueshme. Përderisa nga mësimdhënësit kërkohet të garantojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të ruajnë rendin në klasë, ata duhet të kenë në dispozicion edhe mekanizma të qartë institucionalë për ndërhyrje. Në mungesë të tyre, çdo veprim mund të shoqërohet me pasiguri lidhur me procedurat, kompetencat dhe përgjegjësitë përkatëse.
Kjo situatë krijon një disproporcion të dukshëm ndërmjet përgjegjësisë që i kërkohet mësimdhënësit dhe autoritetit institucional që i vihet në dispozicion. Nuk është e arsyeshme që mësimdhënësi të mbahet përgjegjës për rezultatet dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, ndërkohë që nuk ka një sistem të qartë dhe funksional për trajtimin e sjelljeve që e pengojnë atë.
Prandaj, nevoja për një Udhëzim Administrativ të posaçëm nuk është kërkesë për rikthimin e metodave ndëshkuese apo për kufizimin arbitrar të të drejtave të nxënësve. Përkundrazi, bëhet fjalë për krijimin e një mekanizmi transparent, proporcional dhe të zbatueshëm, i cili përcakton qartë procedurat, kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale. Pa një kornizë të tillë, shkolla rrezikon të mbetet pa instrumentet e nevojshme për të mbrojtur rendin, procesin mësimor dhe vetë autoritetin e saj edukativ.
Thirrje për veprim: Drejt një kornize të re normative dhe partneriteti institucional
Përballë kësaj gjendjeje, ndërhyrja institucionale nuk duhet të jetë më çështje e shtyrjes apo e trajtimit të rasteve veç e veç. Nevojitet një qasje e koordinuar, e cila disiplinën ta trajtojë si përgjegjësi të përbashkët të sistemit arsimor dhe jo si barrë individuale të mësimdhënësit.
Në këtë drejtim, dy veprime janë të domosdoshme:
- Miratimi i një udhëzimi administrativ për masat disiplinore në nivelin e dytë të arsimit parauniversitar.
Është e domosdoshme që Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse të shqyrtojnë dhe të hartojnë një Udhëzim Administrativ të qartë për trajtimin e sjelljeve të papranueshme dhe zbatimin e masave disiplinore në klasat VI–IX. Ky udhëzim duhet të përcaktojë procedurat e veprimit, shkallëzimin e masave në varësi të natyrës dhe përsëritjes së shkeljeve, si dhe përgjegjësitë e secilit mekanizëm shkollor.
Njëkohësisht, ai duhet të përcaktojë qartë rolin e mësimdhënësit, kujdestarit të klasës, psikologut, pedagogut, drejtorisë së shkollës dhe Këshillit të Prindërve, në mënyrë që trajtimi i rasteve të mos mbetet në vullnetin apo iniciativën individuale të mësimdhënësit. Masat duhet të jenë edukative, proporcionale, të dokumentuara dhe në përputhje me të drejtat e fëmijëve. Qëllimi nuk duhet të jetë ndëshkimi në vetvete, por korrigjimi i sjelljes, parandalimi i përsëritjes dhe garantimi i kushteve normale për zhvillimin e mësimit.
- Fuqizimi i partneritetit dhe i përgjegjësisë prindërore.
Disiplina dhe suksesi akademik nuk mund të ndërtohen vetëm brenda mureve të shkollës. Familja mbetet një faktor thelbësor në formimin e sjelljes, qëndrimeve dhe përgjegjësisë së fëmijëve. Për këtë arsye, bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe prindërve duhet të jetë i vazhdueshëm, konkret dhe funksional, e jo të aktivizohet vetëm atëherë kur problemet bëhen të pakontrollueshme.
Udhëzimi i ri duhet të përcaktojë mekanizma të qartë për përfshirjen e prindërve në trajtimin e rasteve të përsëritura të sjelljeve problematike, duke i bërë ata pjesë aktive të procesit të përmirësimit të sjelljes së fëmijëve të tyre. Përgjegjësia edukative nuk mund t’i delegohet tërësisht shkollës, as të mbetet vetëm në duart e mësimdhënësit. Ajo duhet të ndërtohet përmes një partneriteti të mirëfilltë ndërmjet familjes dhe institucionit arsimor.
Në fund, duhet të kuptojmë se disiplina nuk është kundërshtare e lirisë, por kusht për ushtrimin e saj në mënyrë të përgjegjshme. Ajo nuk është pengesë për një shkollë demokratike, por një prej garancive që secili nxënës të ketë mundësi të barabartë për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të arritur potencialin e tij.
Nëse synojmë që shkolla jonë të formojë gjenerata të përgjegjshme, të afta dhe konkurruese, atëherë duhet të rikthejmë rendin, respektin dhe përgjegjësinë në themelin e jetës shkollore. Mësimdhënësi duhet të ketë autoritetin dhe mbështetjen institucionale për ta ushtruar misionin e tij, prindi duhet të jetë partner aktiv në edukimin e fëmijës, ndërsa institucionet arsimore duhet të garantojnë mekanizmat e nevojshëm ligjorë dhe organizativë.
Suksesi në arsim nuk është rezultat i rastësisë dhe as produkt vetëm i përkushtimit individual të mësimdhënësit. Ai ndërtohet në një mjedis ku dija vlerësohet, puna respektohet, përgjegjësia kërkohet dhe rendi mbrohet nga të gjithë. Sepse aty ku nuk garantohet mundësia për të mësuar, vihet në pikëpyetje vetë kuptimi i shkollës.
