Analisti, Shenoll Muharremi ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk mund të avancojë drejt statusit të kandidatit pa stabilitet institucional dhe kompromis politik.
Përmes një postimi publik, Muharremi tha se kryeministri në detyrë ka kërkuar sot nga BE-ja që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit, megjithatë sipas tij, Kosova ka mbetur shumë prapa në procesin integrues evropian.
Ai rikujtoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në vitin 2022, ende nuk është trajtuar nga BE-ja.
Sipas Muharremit, kjo lidhet edhe me masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës pas tensioneve në veri të vendit, ku ai kritikoi veprimet e Qeverisë lidhur me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe.
“Në fund, u kthyen kryetarët serbë në komunat veriore, ndërsa Kosovës i mbetën masat, stagnimi dhe humbja e fondeve e mundësive nga BE-ja”, shkroi ai.
Muharremi tha se shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë i ka bërë të qartë kryeministrit se Kosova duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare për të fituar statusin e kandidatit.
Ai theksoi se BE-ja ka kërkuar “stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale”, një “qeveri të bazuar në shumicë të fortë parlamentare”, si dhe aftësi për të krijuar “kompromise të fuqishme ndërpartiake”.
Sipas Muharremit, mesazhi i BE-së ishte i qartë se pa funksionalitet institucional dhe konsensus politik, Kosova nuk mund të presë avancim në procesin e integrimit evropian.









