Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Aleksandar Radovanoviq, ka shpërndarë disa fotografi për të cilat ka thënë se janë ngjitur si poster para furrës së bukës së një shqiptari në Krushevc, në Serbi.
Mes tjerash në mes të fotografive shkruan në gjuhën serbe: “Mos e harro Gazimestanin. Mos bli te shqiptarët”.
Në poster përdoret termi “Shiptari”, term ky pezhorativ që serbët e përdorin për nënçmim të shqiptarëve.
Përmes një postimi në X, Radovanoviq ka thënë se personi që e ka bërë këtë duhet të dënohet publikisht për nxitje të urrejtjes kombëtare.
“Posteri që u ngjit sot në Krushevc, para furrës së bukës që e mban një shqiptar. Politika e masave reciproke ndaj shqiptarëve në Serbi duhet të dënohet publikisht dhe të ndalet, ndërsa ai që e ka menduar dhe organizuar këtë duhet të mbahet përgjegjës, në përputhje me ligjin, për nxitjen e urrejtjes kombëtare”, ka shkruar ai.
Postimin e tij e ka shpërndarë në profilin e saj në X, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq. Ajo ka ftuar edhe studentët që po protestojnë prej muajsh, të mblidhen para kësaj furre të bukës për të treguar solidaritet dhe që janë kundër veprimeve etno-nacionaliste.
“Mblidhuni para furrës së bukës në Krushevc, tregoni solidaritet dhe se jeni kundër të gjitha veprimeve etno-nacionaliste”, ka shkruar Kandiq.
@studentblokade, okupite se ispred pekare u Kruševcu, pokažite solidarnost, da ste protiv svih etničko nacionalističkih postupaka. https://t.co/fnjoenZmz3
— Natasa Kandic (@natasakandic) July 5, 2026








