Fjalë prej lideri. Madje, prej fituesi të “Topit të Artë”. Luka Modriç ka folur për herë të parë pas rinovimit të kontratës me Milanin. Në një moment emocionalisht të vështirë për tifozët kuqezinj, pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit, kroati ka hapur zemrën. Flet ai, që qysh fëmijë ishte tifoz i Milanit të madh të udhëhequr nga kapiteni legjendar. Modriç ka rrëfyer ëndrrën për të fituar një trofe me fanellën kuqezi dhe për t’ia dedikuar numrit 6, por ka folur edhe për tema të tjera: nga Amorim te Leao, nga Ramos te fundi i sezonit të kaluar, që nuk i ka pëlqyer dhe që tani dëshiron ta harrojë duke pasuruar më tej kabinetin e trofeve.
Çfarë ndjetë kur mësuat se kishte ndërruar jetë Baresi?
Baresi për mua përfaqësonte esencën e Milanit. Ishte, nëse jo më i madhi, një nga simbolet më të mëdhenj të këtij klubi. Një person shumë modest, lider që udhëhiqte përmes shembullit. Është një humbje e madhe për Milanin dhe për të gjithë milanistët.
E kam takuar disa vite më parë, kur luaja me Real Madridin dhe në Los Anxhelos u përballëm me Milanin. Nuk pata kurrë mundësinë të flisja me të, por ai është një nga ata lojtarë që, kur si fëmijë dashurohesh me një klub, e merr si shembull. Edhe pse nuk luante në pozicionin tim, e admiroja dhe mendoja: Kështu duhet të sillesh dhe të luash futboll.
A është edhe falë Baresit që keni këtë pasion për Milanin?
Më ka pëlqyer gjithmonë Milani, që kur isha fëmijë dhe e ndiqja mbi të gjitha për Zvonimir Bobanin, por edhe për lojtarë si Franco dhe shumë kampionë të tjerë kuqezinj. Ai ishte kapiteni dhe padyshim frymëzimi për të gjithë tifozët e Milanit.
Shumë thonë se ngjani me Baresin në sjellje. Flisni pak dhe ju mjafton vetëm shikimi…
Po, Baresi ishte mbi të gjitha një lider përmes shembullit. Nuk fliste shumë, ishte modest dhe për mua ajo që e përshkruan më mirë është mënyra se si u rikthye pas operacionit në menisk për të luajtur finalen e Botërorit kundër Brazilit.
Ishte pothuajse e pamundur të rikuperohej, por ai mori përsipër edhe përgjegjësinë për të gjuajtur një nga penalltitë. Edhe unë jam gjendur në një situatë të ngjashme. Kur luan për kombëtaren dhe duhet të gjuash një penallti, nuk është e lehtë. Kjo tregon shumë për të, për personalitetin dhe lidershipin e tij.
A ka Milani këtë vit një motivim shtesë; të fitojë një trofe dhe t’ia dedikojë Baresit?
Po, ky mund të jetë një objektiv i madh për ne; të fitojmë një titull dhe t’ia dedikojmë Francos. Për trashëgiminë që ai la. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme, një ëndërr. Do të punojmë fort për ta realizuar.
Sa i lumtur jeni që nisni sezonin tuaj të dytë me fanellën kuqezi?
Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, sepse sezonin e kaluar u kënaqa shumë. Fatkeqësisht nuk e mbyllëm mirë dhe nuk arritëm objektivin minimal, që ishte kualifikimi në Champions League. Kjo ishte zhgënjyese.
Më erdhi keq që nuk munda ta ndihmoja skuadrën në ndeshjet më të rëndësishme të fundit të sezonit për shkak të dëmtimit. Për këtë arsye kisha dëshirë të kthehesha dhe shpresoj të bëj një sezon më të mirë, të fitoj me Milanin.
A ju shtyu të vazhdoni ai kuqezi fundi negativ i sezonit me Milanin dhe Botërori jo i mirë me Kroacinë?
Jo, jam këtu para së gjithash sepse jam ndier shumë mirë. Klubi dhe tifozët më treguan shumë dashuri, më qëndruan pranë në çdo aspekt dhe kjo ishte arsyeja e parë pse zgjodha të qëndroj. Klubi tregoi gjithashtu se më dëshironte fort dhe kjo ishte diçka shumë e bukur. Ndjej ende të njëjtin pasion dhe të njëjtën dëshirë për të luajtur futboll.
Ky është vendi më i mirë për mua dhe shpresoj t’i jap Milanit atë që i dhashë sezonin e kaluar, por edhe që skuadra të ketë një sezon më të mirë. Më saktë, një fund më të mirë.
E vetmja mënyrë për ta arritur është të mësojmë nga gabimet. Deri në ndeshjen e humbur kundër Lazios ishim aty, duke luftuar për kampionatin. Më pas, kur kuptuam se do të ishte e vështirë të fitonim titullin, ndoshta e ulëm pak ritmin dhe u ndjemë të sigurt se Champions League ishte e garantuar. Gabuam.
Kur e morët vendimin për të vazhduar?
Gjithmonë e kam pasur në mendje dëshirën për të luajtur edhe një vit tjetër. Mund ta kisha firmosur kontratën që në dhjetor, por nuk e bëra për të dëgjuar… trupin tim.
Duhej të kuptoja si ndihesha, nëse kisha ende të njëjtën uri, të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin pasion për të vazhduar. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme dhe përgjigjet ishin ato që prisja. Jam ende mirë, kam pasion dhe gjithçka që duhet për të vazhduar.
Kur pashë se drejtuesit më donin ende këtu, nuk pata shumë dyshime. Ajo që Milani më tregoi sezonin e kaluar, gjatë Botërorit dhe pas përfundimit të tij, është gjithçka që dëshiron një futbollist: besim dhe dashuri.
Cilat janë përshtypjet e para për Amorim?
Kam folur me të disa herë gjatë verës dhe ndjesitë janë të mira, shumë pozitive. Shpresoj që të vazhdojë kështu, që të jemi gjithmonë në të njëjtën linjë dhe të kuptohemi. Trajneri me shumë mundësi do të sjellë ide të reja dhe ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që do të na kërkojë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.
Ka ardhur edhe një sulmues si Gonçalo Ramos. Çfarë lojtari është?
E kam ndjekur shumë dhe është një sulmues i madh. Ndoshta është pikërisht ai që na duhej dhe që na ka munguar në të kaluarën. Shpresoj të vazhdojë të bëjë gjërat e mëdha që ka bërë në të gjitha klubet ku ka luajtur. Kohët e fundit me të kam pasur… një përvojë të keqe, pasi ai shënoi golin që eliminoi Kroacinë time nga Botërori (Portugali-Kroaci 2-1 në fazën e 1/16-ve). Nga ajo që kam parë këto ditë, është gjithashtu një person shumë i mirë dhe shpresoj t’i dhurojë shumë lumturi Milanit.
I thatë diçka për atë gol?
(Qesh) Jo, ia kam thënë tashmë në SHBA. Nuk dua të kthehem më te kjo temë, sepse nuk është një kujtim i bukur.
A ju pëlqen Milani që po ndërtohet?
Më pëlqen ajo që po bën klubi. Në thelb janë të gjithë lojtarët e vitit të kaluar, me disa afrime të reja që do të jenë të rëndësishme për ne. Ramos, Gila dhe Diawara do të sjellin më shumë cilësi dhe karakter në skuadër, duke na ndihmuar të arrijmë objektivat.
Keni ritakuar edhe Rafa Leaon. A ju gëzon fakti që është ende këtu?
Nuk dua t’i jap këshilla. Rafa është mjaftueshëm i pjekur për të ditur çfarë është më e mira për të. Ai e di sa shumë e duan tifozët dhe i gjithë klubi. Është një lojtar i madh dhe është bukur ta kemi këtu. Duhet vetëm të punojë fort dhe të japë maksimumin për Milanin, siç ka bërë gjithmonë.
Ndoshta nuk vjen pas një sezoni të madh. Pati disa dëmtime dhe nuk ndihej mirë, nuk ishte në forcën e tij të plotë fizike, por mbetet një futbollist i madh. Sipas meje, nëse qëndron, do të ishte fantastike për ne, sepse kur është në formën maksimale është një nga lojtarët më të mirë në botë.
Shpresoj të jetë mirë, të rikthejë futbollin e tij dhe të na ndihmojë të bëjmë një sezon të madh. Do të doja të qëndronte, por do të shohim çfarë do të ndodhë. Ai dhe klubi do të vendosin zgjidhjen më të mirë, por si futbollist natyrisht dua ta kem Leaon në skuadrën time.
Pas 6 Champions League dhe 34 trofeve, a keni ende një ëndërr për ta realizuar?
Kur erdha këtu për herë të parë, thashë se doja të fitoja me Milanin dhe kjo mbetet ëndrra ime. Dua të fitoj trofe duke veshur fanellën kuqezi. Do të shohim nëse do të jetë titulli kampion apo ndonjë trofe tjetër, por ëndrra ime nuk ka ndryshuar. Për këtë arsye erdha këtu. Jo për t’u argëtuar apo thjesht për të kaluar kohën. E nis sërish me ëndrrën dhe objektivin tim shumë të qartë në mendje.
al”>Telesport.








