Futbollistet e Mitrovicës kanë shkruar histori, duke e arritur fitoren e parë në Ligën e Kampionëve.
Vashat e skuadrës kampione të Kosovës, e kanë mposhtur Olimpia Clujin me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve, e cila u zhvillua në Mal të Zi, aty ku do të luhen të gjitha përballjet e fazës së grupeve, transmeton KTV.
Golat e fitores për Mitrovicën e trajnerit Seidi Onbashi, i realizuan Liridona Syla në minutën e ‘24 dhe Ambra Gjergji në të 30-ën, kurse për Clujin, shënoi Ficzay në minutën e pestë shtesë.
Ndeshjen e dytë, mitrovicaset do ta luajnë me 10 gusht kundër NSA Sofias nga Bullgaria, kurse të fundit, me Breznicën e Malit të Zi më 13 gusht.
Mitrovica bën pjesë në grupin e dytë kualifikues dhe kalimin tutje e siguron ekipi që përfundon në pozitën e parë.
Kjo është hera e dytë që klubi i femrave nga Mitrovica po merr pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Më herët, Kosovën, në këtë garë, e ka përfaqësuar edhe Hajvalia.