Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka kërkuar falje pas reagimeve të forta që shkaktoi deklarata e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Megjithatë, ajo nuk u kërkoi falje shqiptarëve të Kosovës, por vetëm presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Gjuro Macut.
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit në Informer TV, Paunoviç tha se deklarata e saj ishte keqinterpretuar dhe u nxor jashtë kontekstit.
“I kërkoj falje presidentit Vuçiç, Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit Macut, për faktin se ata janë akuzuar pa asnjë faj”, u shpreh ajo.
Sipas ministres serbe, nga intervista njëorëshe janë shkëputur vetëm shtatë sekonda, duke krijuar një perceptim të gabuar mbi qëndrimin e saj.
“Çfarë kam thënë ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të më duhet të shpjegoj se kjo nuk është politika e presidentit dhe as e qeverisë”, deklaroi Paunoviç.
Ajo reagoi edhe ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në territorin e vendit, duke e cilësuar atë paradoksal.








