Ministrja Pacolli para zgjedhjeve ndërron emrat e rrugëve në Mitrovicën e Veriut

Vetëm disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, te rreth rrotullimi në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emrat „Zoran Gjingjiq“ dhe „Isa Boletini“.

Ministrja e Planifikimit Hapësinor në detyrë teknike, Fitore Pacolli, ka deklaruar se 88 rrugë në Mitrovicën e Veriut kanë marrë emra të rinj dhe se emrat e rinj janë zgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme në Mitrovicën e Veriut, transmeton Paparaci.

Sipas saj, komiteti është marrë intensivisht për dy muaj me çështjen e emërtimit të rrugëve të reja.

„Është votuar në Kuvend dhe tani po i vendosim (emrat), sepse bëhet fjalë për një procedurë teknike“, ka deklaruar ajo.

Në pyetjen e gazetarëve se ku ndodhet kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, Pacolli ka deklaruar se bëhet fjalë për një projekt të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.

“Çfarëdo projekti që e bëj, e bëj si ministre, jo me komunën, sepse komuna tashmë e ka marrë këtë vendim”, tha ajo, duke shtuar se si ministre është e obliguar ta përfundojë pjesën teknike të punës.

Duke komentuar faktin se vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve e ka marrë administrata e mëparshme komunale e udhëhequr nga Erden Atiq, Pacolli tha se Kuvendi i ka respektuar dëshirat e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, duke shtuar se është e rëndësishme të respektohen dëshirat e çdo qytetari.

“Ka qenë vendimi i serbëve këtu që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe ata morën një kryetar komune shqiptar. Tani kanë një kryetar komune serb”, tha ajo, duke theksuar se në Mitrovicën e Veriut jetojnë si serbë ashtu edhe shqiptarë.

Sipas saj, qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë të informuar për projektin.

“Njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, këtu në Mitrovicën e Veriut, e dinë për projektin, kanë qenë të njoftuar. Kuvendi ka punuar për këtë vitin e kaluar së bashku me qytetarët e Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Pacolli.

Ajo u ndal edhe te emrat e rinj të rrugëve, duke thënë se ndër ta ka edhe emra shkrimtarësh serbë, aktorësh dhe personalitetesh të tjera të njohura. Pacolli gjithashtu ka theksuar se koha e ndryshimeve të emrave të rrugëve nuk ka lidhje me zgjedhjet, por se ministria po vazhdon të kryejë punën e saj. Sipas saj, akuzat se po merr pjesë në fushatë politike vijnë edhe nga vende të tjera në Kosovë, gjë të cilën ajo e ka mohuar./Paparaci.com