Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko vizitoi shkollën plotësuese shqipe në Kilburn të Londrës
Shkolla, e themeluar me iniciativë të organizatave shqiptare që veprojnë atje, ofron kurse të gjuhës shqipe gjatë së shtunës. Fëmijët, disa prej të cilëve të veshur me kostume tradicionale, i uruan mirëseardhjen Pandeli Majko me këngë e recitime.
Ndërsa u përcolli falënderimet e tij mësuesve dhe prindërve për punën e jashtëzakonshme, siç u shpreh, Majko e vuri theksin tek rëndësia e të folurit shqip ne familje. Sipas tij, nëna ka rolin kryesor në transmetimin e gjuhës tek fëmijët dhe shmangien e asimilimit të brezave të rinj. Ministri informoi mësuesit, prindërit dhe përfaqësuesit e shoqatës “Ardhmëria” mbi planin e përbashkët të veprimit me qeverinë e Kosovës, sa i përket arsimit shqip në diasporë.
Marrëveshjet e arritura mes dy qeverive, tha Ministri, do të ndihmojnë për t’u mundësuar të gjithë shqiptarëve jashtë vendit qasje më të lehtë ndaj librave dhe arsimit shqip. Majko foli për hapat e ndërmarrë për realizimin e kurikulave dhe ngritjen e grupit të punës që do të hartojë librat e standardizuar të gjuhës. Ministri vlerësoi qasjen miqësore të Britanisë ndaj komunitetit shqiptar dhe u shpreh i përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit sa i përket diasporës atje. Ndërkaq, në takimin me përfaqësues te komunitetit shqiptar në Londër, përfshirë edhe studentë, Majko tha se diaspora nuk është një çështje politike por ajo kërkon konsensus politik që të mundësohet ecja në një hap e diasporës me shtetin e vet. Ndërsa e konsideroi një sfidë çështjen e diasporës, Majko tha se ishin ndërmarrë hapa të rëndësishëm për krijimin e strukturave që do të mundësojnë forcimin e marrëdhënies së shqiptarëve jashtë vendit me shtetin e tyre. Ministri informoi të pranishmit në sallë lidhur me ligjin për Agjencinë Kombëtare të Diasporës e gjithashtu për projektligjin ‘ombrellë’ , i cili siç tha, do të strukturojë të gjitha institucionet që do të mbulojnë marrëdhëniet e shtetit shqiptar me diasporën.
‘Duam të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë me diasporën, e cila nuk do të zbehet me ndërrimin e qeverive. Po përpiqemi ta institucionalizojmë atë, në mënyrë që të mos mbetet thjesht një dialog në distancë. Shteti shqiptar duhet të jetë në një linjë me diasporën e vet”, u shpreh Ministri. Majko vlerësoi arritjet dhe sukseset e shqiptarëve në Britaninë e Madhe por e vuri theksin tek nevoja e një organizimi më të madh në nivele të ndryshme. Duke përmendur aftësitë e brezit të ri, Ministri kërkoi më shumë angazhim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
Majko foli edhe për përpjekjet që po bëhen për të krijuar kushte të favorshme për orientimin e biznesmenëve shqiptarë drejt vendit të tyre të origjinës. Gjatë vizitës së punës në Londër, Ministri i Shtetit për Diasporën vizitoi bustin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, Majko vendosi një tufë me lule në monumentin e ngritur me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Homazhet përkojnë me kremtimet për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Ministri vizitoi edhe organizatën ‘Total Family Coaching’, e cila punon me fëmijët, të rinjtë dhe familjet, duke u ofruar ndihmë psikologjike dhe psikoterapeutike për tejkalimin e traumave apo problemeve të mëdha. Drejtuesja e organizatës është një shqiptare nga Prishtina, znj. Adelina Badivuku e ka gjithashtu punonjës të tjerë shqiptarë./fax.al/