Meteorologia Anira Gjoni ka bërë të ditur se i gjithë Ballkani ndodhet nën ndikimin e një mase të ftohtë ajrore me origjinë nga lindja, e cila do të sjellë rënie të temperaturave dhe reshje shiu gjatë ditës së sotme dhe të nesërme.
Në një lidhje për emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ajo tha se të enjten pritet përmirësim i motit, por kushtet e paqëndrueshme do të rikthehen sërish të premten.
“I gjithë Ballkani ndodhet nën ndikimin e një mase të ftohtë të ajrit me origjinë nga lindja, e cila do të sjellë edhe uljen e temperaturave, por edhe prezencën e reshjeve të shiut. Ato do të jenë prezente gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, me të enjten që do të ketë përmirësim, por kushtet e paqëndrueshme do të vazhdojnë edhe të premten. Kemi hyrjen në Ballkan të një mase të ftohtë që vjen nga veriu dhe lindja, që do të thotë se këto masa janë të ftohta dhe të lagështa”, tha Gjoni.
Ajo theksoi se situata nuk është e pazakontë për këtë periudhë, ndonëse korriku zakonisht shoqërohet me temperatura të larta.
“Nuk mund të flasim se ka diçka anormale. Herë pas here është vënë re kalimi i masave të ftohta. Në përgjithësi korriku shoqërohet me valë të nxehti, por ndodhemi nën ndikimin e sistemeve që sjellin këto masa të ftohta. Temperaturat do të zbresin nën mesatare, ndërkohë pjesa tjetër e Evropës, si Spanja, do të goditet nga një masë e nxehtë”, u shpreh meteorologia, transmeton Klankosova.tv








