Pas rreth 10 ditësh pasi kishte dorëzuar aplikacionin për votim nga diaspora, shqiptarit Arlind Imeri i cili jeton në Zvicër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i kishte dërguar e-mail duke e njoftuar që e kishin refuzuar aplikacionin e tij pasi që nuk ka përmbushur kushtet për t’u përfshirë në listën e votuesve jashtë Kosovës, shkruan “Zëri.info”.
I kontaktuar nga gazeta, Arlindi ka treguar se ky e-mail i kishte ardhur gjatë ditës së enjte por që tek sonte kishte arritur të kishte qasje në e-mail.
Ai thotë se KQZ-ja nuk e ka njoftuar mbi arsyet e refuzimit të aplikacionit.
Sipas tij për një ankesë rreth rasteve të tilla, lejohen vetëm 24 orë kohë për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa (PZAP). Mirëpo, thotë se një gjë të tillë nuk do ta lë me kaq.
“Asnjëherë nuk më ka ndodhur një rast i tillë. Unë do të tentoj të marrë sqarime prej KQZ-së. Ata nuk munden të ma humbin të drejtën e votës, sepse tek e fundit unë do të vijë në Kosovë për të votuar”, ka thënë Arlindi.
Ai ka një shqetësim tjetër. Thotë se me rastet si këto kanë filluar edhe manipulimet, pasi që edhe emrin e gjyshit të tij e ka gjetur në listat e votuesve.
“Tani po mendoj që kanë filluar të përgatitin manipulime kësaj here. Unë edhe gjyshin tim që ka vdekur qe 10 vite tani e kam gjetur në listën e votuesve”, ka treguar Arlindi.
Ai nuk e ka ndërmend ta lë me kaq. Pasi që nëse deri në ditën e zgjedhjeve nuk do t’i rregullohen procedurat e votimit, thotë se do të vij në Kosovë ta kryejë obligimin qytetar.
“Unë mendoj se KQZ i identifikon votuesit. Unë do të ankohem në të gjitha institucionet përkatëse. Nëse nuk do të më lejohet e drejta e votës përmes postës, unë do të vijë në Kosovë e ta kryej obligimin tim qytetar. ”, ka thënë ai për “Zëri.info”.
Më poshtë gjeni formën e aplikacionit të mbushur si dhe e-mailin e refuzimit.