“Me Thaçin në Kosovë, Kurti s’i fiton zgjedhjet”, Softolli: Ka frikë nga kthimi i tij (VIDEO)

Analisti Argjend Softolli ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i frikësohet kthimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, në Kosovë.

Duke folur për tensionet politike që po e shoqërojnë vendin këto ditë, Softolli tha në emisionin “Kosova Today” se Kurti e di se me Thaçin në Kosovë do ta kishte më të vështirë t’i fitojë zgjedhjet.

“Mendoj që sjellja e zotit Kurti është e tillë. Zoti Kurti i frikësohet kthimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe të tjerëve në Kosovë, sepse ai e ka të qartë që me Hashim Thaçin në Kosovë nuk mund t’i fitojë zgjedhjet…Thaçi ka qenë president, në atë kohë nuk ka qenë i angazhuar dhe nuk ka qenë në garë direkt zoti Thaçi. Prandaj, unë mendoj që zoti Kurti i frikësohet kësaj dhe domosdoshmërisht dëshiron që t’i çojë në zgjedhje në dhjetor”, tha Softolli.

Ai ka deklaruar se, sipas tij, Kurti synon t’i ketë institucionet në funksion të zgjedhjes së presidentit dhe të sigurojë vazhdimin e mandatit të tij.

“Zoti Kurti, përveç asaj që ndoshta dëshiron t’i çojë në zgjedhje në dhjetor, më shumë dëshiron t’i ketë institucionet, ta bëjë presidentin e tij, në mënyrë që ai ta vazhdojë mandatin katërvjeçar… Z.Kurti dëshiron që të ketë marrëveshje me njërin nga subjektet politike, ta bëjë presidentin e tij, ta mbajë postin edhe për katër vjet, në mënyrë që të qëndrojë në pushtet, sepse ai e ka të qartë dhe e ka frikë zotin Thaçi”, deklaroi Softolli.