Edhe këtë të diel ka vazhduar përplasja mes Ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami. Kjo e fundit ditën e djeshme tha se Murati po mashtron me çështjen e Bonove të Diasporës.
Bajrami ka thënë se Murati flet për Bonot e Diasporë, pa përmendur asnjë shifër të vetme.
Kjo, sipas saj është tendencë për të mashtruar.
Për këtë ka reaguar vet Ministri i cili e ka quajtur deputeten e LDK-së “redaktore të lajmeve”, shkruan Reporteri.
“Me gjasë kjo duhet të jetë nga ato pakot e marketingut që u ofrohet reklamuesve premium, e titulluar “Shkruajeni vetë lajmin”, ku reklamuesit i ofrohet qasje direkte në portal dhe mund të postojë lajme sa herë që ka nevojë, qoftë edhe të shtunën në ora 23:06”, ka shkruar ministri.
E sot, i ka reaguar sërish deputetja Bajrami e cila ka thënë se “në mungesë të përgjigjes, ministri i dështimeve po ju tregon mediave qysh duhet të publikojnë reagimet e opozitës ku zbërthehen mashtrimet e partisë në pushtet”.
Tutje ajo i ka drejtuar edhe një sërë pyetjesh Ministrit Murati.
“Mashtrimeve tuaja po ju vjen fundi dhe prandaj shkaktojnë dhimbje kur mashtrimet tuaja ua tregoj qytetarëve”, shkruan deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.