Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrën e Studimes, ku forcat serbe vranë 116 civilë shqiptarë në zonën ndërmjet Studimes së Poshtme dhe Studimes së Epërme në Vushtrri.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se kjo ngjarje mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, ku brenda vetëm dy orësh u vranë burra, gra, pleq dhe fëmijë nga Shala dhe rrethina e Vushtrrisë.
“Më 2 maj 1999, forcat serbe ushtruan terror të organizuar ndaj civilëve shqiptarë që po lëviznin nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme. Brenda vetëm dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht, burra, gra, pleq e fëmijë nga Shala dhe rrethi i Vushtrrisë. Të nesërmen, gratë dhe fëmijët u dëbuan me dhunë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u burgosën në Smrekonicë, ku u përballën me tortura dhe trajtim çnjerëzor. Për këto krime, drejtësia ndërkombëtare dhe vendore ka dhënë dy dënime: Vlastimir Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tij në vrasjen e më shumë se 700 shqiptarëve, ku pjesë e aktakuzës ishte edhe masakra e Studimes, ndërsa në qershor 2025, Zoran Vukotiq u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë edhe krimet në Studime. Por këto dënime janë tepër pak përballë përmasës së krimit dhe peshës së dhimbjes së familjeve”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka shkruar se ndërtimi i Republikës së Kosovës vazhdon si nderim për të rënët dhe si garanci që brezat e ardhshëm të mos përjetojnë më terror të tillë.
Kurti ka përkujtuar martirët e Studimes dhe të gjithë të vrarët gjatë luftës, duke e cilësuar kujtimin e tyre si të përjetshëm.
“Këto krime nuk harrohen, nuk falen dhe nuk zbehen me kohën. Ato mbesin plagë e hapur, derisa drejtësia e plotë të vihet në vend dhe përgjegjësit të përballen me dënimet e merituara. Pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore. Ne po vazhdojmë të ndërtojmë e forcojmë Republikën e Kosovës së bashku, për ata që dhanë jetën e tyre dhe për ata që do të jetojnë pas nesh, duke u siguruar që asnjë brez tjetër të mos përjetojë terrorin që ne e kemi jetuar. Në përvjetorin e masakrës së Studimes, përkujtojmë një nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. I përkujtojmë me nderim martirët e masakrës së Studimes dhe të gjithë ata që u flijuan për lirinë tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, tha Kurti.








