Masakra e Srebrenicës dhe gjenerali serb që fshehu kufomat e boshnjakëve dhe shqiptarëve

Shkruan: Durim Abdullahu

Duke e kujtuar Masakrën e Srebrenicës, le ta kujtojmë edhe gjeneralin serb që i fshehu kufomat e viktimave të Srebrenicës, e i cili gjithashtu i fshehu edhe trupat e shqiptarëve të vrarë nga shteti i Serbisë.

Ai është ky, Zdravko Tolimir, gjeneral serb i cili në pranverën e vitit 1999, kishte organizuar bartjen e trupave të shqiptarëve të vrarë nga Kosova për t’i fshehur nëpër varreza masive në Serbi. Për këtë, ai kishte marrë urdhër personalisht nga Sllobodan Millosheviqi, pasi që gjeneral Tolimir kishte përvojë në këto lloj krimesh, sepse në vjeshtën e vitit 1995, kishte pjesëmarë në fshehjen e trupave të boshnjakëve të vrarë në Srebrenicë, të cilët i kishte shpërndarë nëpër qindra varreza në lumin Drina.

Zdravko Tolimir kishte qenë ndihmës komandant për inteligjencë dhe siguri, në ushtrinë serbe të Bosnjës, ku i raportonte direkt gjeneral Ratko Mladiqit, me të cilin shihet në fotografi. Pas dy vitesh të kalaura në arrati, më 31 maj 2007, Tolimir u arrestua dhe të nesërmen iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, ku u gjykua gjatë pesë viteve të ardhshme.

Më 12 dhjetor 2012, verdikti gjyqësor e shpalli fajtor në 6 nga 8 pikat e aktakuzës dhe kështu e dënoi me burgim të përjetshëm, dënim ky që iu konfirmua më 8 prill 2015. Zdravko Tolimir u dënua për gjenocid, fshehje të gjenocidit të kryer, për vrasje, shfarosje, përndjekje mbi baza etnike dhe zhvendosje të detyruar.

Të gjitha akuzat për të cilat u dënua, kishin të bënin me luftën në Bosnje, kurse organizimi prej tij i fshehjes së viktimave shqiptare të vrara nga serbët gjatë luftës në Kosovë, e të cilat ishin fshehur në Serbi, nuk ishin përfshirë në aktakuzën e ngritur nga ICTY ndaj tij.

Zdravko Tolimir vdiq nga vdekje natyrore, në çelinë ku po vuante dënimin, më 8 shkurt 2016. Emri i Zdravko Tolimirit është një nga emrat e rangjeve të larta ushtarake dhe politike të Serbisë, që ishin të përfshirë në krime lufte në Kosovë.