LVV i përgjigjet LDK-së për 15 nënshkrimet rreth presidentit

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë se pret që t’i pranojë personalisht dhe zyrtarisht 15 nënshkrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit.

Nagavci tha sot pak para vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, se nënshkrimet nuk i ka pranuar as kryeministri Albin Kurti, as ajo vetë.

“Me sa jam në dijeni, ato nënshkrime nuk i janë ofruar as kryeministrit Kurti, as mua si shefe e Grupit Parlamentar”, tha Nagavci.

“Si shefe e Grupit Parlamentar pres që të pranojmë 15 nënshkrimet, qoftë edhe me emër konkret. Unë nuk di për kënd i kanë mbledhur ato nënshkrime, sepse letra nuk kishte emër kandidati. Për më shumë, lista e kishte datën 25”, u shpreh ajo.

Shefja e grupit të deputetëve të mazhorancës u distancua nga mesazhet në WhatsApp të deputetit Naim Bardiqi, i cili tha të hënën në mbrëmje se po tentonin ta zgjidhnin presidentin në formë “karateje”.

“Nuk pajtohem me deklaratat individuale, është gabim një qasje e tillë. Ne si Lëvizje i kemi qëndrimet publike dhe i marrim qëndrimet si Grup Parlamentar. Asnjë deputet në Grupin Parlamentar nuk ka pasur një qëndrim të tillë”, tha Nagavci.