Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, duke theksuar se ato nuk janë të vetme në përpjekjen e tyre për drejtësi.
Gjatë fjalimit të mbajtur në Kuvend, Lushaaku u shpreh se asnjë fjalë nuk mund të mbushë zbrazëtirën që krijon dhimbja, por që viktimat duhet të dinë se nuk janë të vetme në këtë rrugëtim të vështirë.
“Po shënojmë sot ditën që bart një nga plagët më të rënda të historisë sonë, dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Një krim çnjerëzor i përdorur për të thyer dinjitetin tonë, për të na gjunjëzuar si popull. Një plagë që edhe pas 27 vitesh vazhdon të na dhëmbë. Një dhimbje që ende jeton mes nesh, për histori që nuk janë mbyllur, për gra e burra që për shumë kohë janë detyruar të heshtin. Edhe sot shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në heshtje. Ato përballen jo vetëm me kujtime të dhimbshme, por edhe me stigmatizimin, paragjykimin dhe shpesh edhe me mungesën e mbështetjes shoqërore e institucionale. Përkundër kësaj, janë edhe ato e ata që gjetën forcën të flasin dhe pikërisht me guximin e tyre thyen heshtjen dhe hapën rrugën e drejtësisë. Sot dua t’ju drejtohem juve, të mbijetuarve të kësaj dhune. Ju që i mbijetuat dhimbjes më të rëndë, ju që përveç plagëve të luftës mbajtët mbi supe edhe peshën e heshtjes, të paragjykimit dhe të mosmirëkuptimit. E dimë që nuk ka fjalë që ju ngushëllon, por po ju them nga këtu, nga kjo foltore, nga Kuvendi i Kosovës, që ju nuk jeni vetëm. Nuk jeni vetëm me dhimbjen tuaj, nuk jeni vetëm në kërkimin tuaj për drejtësi dhe nuk do të jeni më kurrë të vetme në përballjen tuaj me të kaluarën. Prandaj në këtë ditë ne nderojmë forcën dhe dinjitetin tuaj që u bë zëri i vërtetë i historisë sonë. Shënimi i kësaj dite është zotim institucional dhe shoqëror që kjo histori nuk do të harrohet kurrë dhe sot nuk po kujtojmë vetëm atë që ka ndodhur, por sot qëndrojmë këtu për të kërkuar drejtësi, drejtësi ndërkombëtare për ju. Të dashur qytetarë, nga kjo foltore dua të them qartë dhe të bëj një thirrje që nuk është e lehtë, se heshtja nuk është opsion. Nuk ka vend për heshtje përballë krimeve të kryera ndaj nënave, ndaj motrave, djemve dhe baballarëve tanë. Drejtësia përballë këtyre krimeve është obligim i yni dhe pa drejtësi as liria jonë nuk mund të jetë e plotë. E në lirinë e sotme dua të përsëris një zotim, se ne duhet të jemi zëri i atyre që për shumë kohë janë detyruar të heshtin”, tha Lushaku Sadriu.









