“Lule Gjeli” e shpalli të vdekur, Avdullah Hoti: Hetimet do të zbulojnë lidhjet e tij me VV-në

Vetëm pak javë më parë profili i Lule Gjelit kishte postuar njoftimin e vdekjes së deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit.

Tek pasi është zbuluar identiteti i këtij profili të rrejshëm në rrjetet sociale, Avdullah Hoti ka thënë se nga hetimet do të zbulohet se “Lule Gjeli” ka lidhje me makinerinë propagandistike të Vetëvendosjes.

Postimi i tij:

Për vite me radhë, gjuha e urrejtjes, linçimi publik, shpifjet dhe fushatat e koordinuara kanë helmuar debatin politik në Kosovë. Emra, profile anonime dhe mekanizma propagandistikë janë përdorur për të sulmuar këdo që mendonte ndryshe.

Rasti Lule Gjeli duhet të shërbejë si këmbanë alarmi. Nga hetimet do të zbulohen lidhjet e “Lule Gjelit” me makinerinë propaganduese të VV-së dhe se nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të të bërit politikë.

Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë. Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, e aq më pak ata që, në emër të pushtetit, kanë mbjellë urrejtje dhe përçarje në shoqëri.