LIVE| Vota parlamentare e Kosovës!

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.

Prej tyre, 911 qendra me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.

Ndërkohë, votimi jashtë vendit, përveç atij përmes postës, është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata.

Në këto përfaqësi janë vendosur gjithsej 47 vendvotime, ndërsa votimi fizik i diasporës është zhvilluar më 6 qershor 2026.

Organizimi i këtij procesi zgjedhor, sipas të dhënave zyrtare, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës më shumë se 10.8 milionë euro./Klankosova.tv


06:12 – Dita e zgjedhjeve, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit është 2,092,174 votues.

Kjo listë sipas KQZ-së, përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thotë KQZ, transmeton Klankosova.tv.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:

  • 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe
  • 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:

  • 6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
  • 419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe
  • 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

“Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ./Klankosova.tv