Lidhja e ngushtë me oligarkun Marin Gjonaj, flet deputeti i Vetëvendosjes

Deputeti Ejup Ahmeti ka refuzuar sërish të komentojë lidhjen e tij me oligarkun Marin Gjonaj.

I akuzuar nga deputetët e opozitës për lidhje me oligarkun që po gjeneron fitime marramendëse në tregun energjetik të Kosovës, Ahmeti është kundërpërgjigjur me akuza për deputetët e opozitës.

Ai ka thënë se nuk ka lidhje me mafinë energjetike.

“Po shoh që kohëve të fundit kanë dal disa lajme.. sot deputetja Hykmete Bajrami më potencoi mua që kam lidhje me mafinë energjetike. Kjo nuk është e vërtetë. Për çdo gjë, konsultohuni njëherë me deputetin nga Grupi i LDK-së i cili ka lidhje të shkurtër me personin për të cilin po flisni ju”, ka thënë Ahmeti.

“E dyta: Baxhanaku i Lumir Abdixhikut, kryetarit të juaj, Besart Bajraktari.. tregoni mirë qytetarëve, sa tenderë i merr ky”, ka shtuar Ahmeti.

“E treta: Tregoni qytetarëve që ju jeni pronare.. burri yt është pronare e një kompanie farmaceutike, përndryshe lërini propagandat, qasjuni Republikës dhe qytetarëve”.