Lavrov: BE po e shndërron Serbinë në një zonë tampon kundër Rusisë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka deklaruar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po i mban, forcon dhe zgjeron sanksionet kundër Rusisë, të cilat ishin vendosur nga administrata e mëparshme e Joe Bidenit.

Gjatë fjalimit të tij, Lavrov preku edhe marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Serbinë, transmeton Paparaci.

Kryediplomati rus kritikoi ashpër atë që e përshkroi si përpjekje të Bashkimit Evropian për ta shndërruar Serbinë në një zonë tampon kundër Rusisë. Ai theksoi se populli serb kultivon marrëdhënie historikisht miqësore me Rusinë dhe Kinën, duke sugjeruar se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk do të pranojë kushte antiruse për anëtarësimin në BE.

Ai ka shtuar se Moska mbështet iniciativat për lidhje rajonale në Ballkan dhe respekton zgjedhjet e popullit serb.

“Vuçiqi ka deklaruar disa herë se nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian nën kushte antiruse. Rusia e respekton këtë qëndrim. Megjithatë, Moska gjithashtu dëgjon se çfarë thotë Evropa”, ka thënë Lavrov.

Sipas tij, Serbisë i thuhet se negociatat për anëtarësim në BE, të cilat aktualisht, siç tha ai, janë të ngrira, mund të vazhdojnë vetëm nëse plotësohen dy kushte.

“I pari është njohja e pavarësisë së Kosovës, gjë që në vetvete zbulon “thelbin antiserb” të qëndrimit të Brukselit, ndërsa i dyti është harmonizimi i plotë me të gjitha sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur kundër Federatës Ruse. Kaq është. Kjo përkthehet në shndërrimin e Serbisë në një zonë tampon të drejtuar kundër Rusisë”, ka thënë Lavrov./Paparaci.com