Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar Krenare Çerkinin si pjesë të listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Çerkini i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të jetë kandidate për deputete në legjislaturën e ardhshme.
“Kam kënaqësinë sot t’ju prezantoj Krenare Çerkinin, e cila i bashkohet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe do të jetë pjesë e listës sonë për deputete.
Krenarja vjen nga Ferizaj dhe përfaqëson një profil të ri të lidershipit – një kombinim mes shkëlqimit akademik, angazhimit publik dhe përkushtimit qytetar ndaj arsimit dhe rinisë. Ajo ka përfunduar paralelisht dy studime bachelor dhe dy programe masteri me sukses të lartë, ndërsa aktualisht vazhdon studimet e doktoratës në Bruksel”.
“Me përvojë si pedagoge universitare dhe pjesëmarrje në iniciativa ndërkombëtare për arsim dhe të rinj, ajo ka ndërtuar një profil të fuqishëm profesional dhe publik. Krenarja është edhe bashkëshorte dhe nënë e një djali. Jam i lumtur që nga sot bëhet pjesë e subjektit tonë fitues për deputete në legjislaturën e 11-të”, shkroi Kurti./Klankosova.tv








