Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, (LVV), Albin Kurti, ka thënë se korrupsioni në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë më transparent.
Sipas Kurtit, presidenti është duke e shkatërruar shtetin, derisa kryeministri, siç ai është shprehur, është duke e zhvatur atë.
“Në Kosovë korrupsioni kurrë nuk ka qenë më transparent. Të gjithë ankohen për korrupsionin, askush për mungesën e transparencës. Ideja e pavarësisë dhe republikës kanë mbetur pa institucione të politikës. Shtetrrënimi është presidenti, zhvatja është kryeministri.
Shtetrrënimi është në vend të shtetndërtimit, ndërkaq zhvatja në vend të zhvillimit”, ka theksuar ai. Ndaj, zgjidhja e vetme sipas Kurtit është bashkimi kundër korrupsionit dhe krimit. “Nuk ka zgjidhje tjetër pos që të bashkohemi kundër korrupsionit institucional dhe krimit qeveritar.
Ky është patriotizmi i ri sepse është në pikëpyetje gjithçka, shteti, buxheti, demokracia e liria”, ka potencuar Kurti.