Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh një buxhet prej 4.27 miliardë eurosh.
Sipas Kurtit, kjo shumë është rreth 200 milionë euro më e lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe rreth 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i këtij viti.
Kurti tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2026 ka shënuar rritje prej 4.7 për qind në gjashtëmujorin e parë, duke e paraqitur këtë si bazë për rritjen e buxhetit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike.
Një pjesë e rëndësishme e projektbuxhetit lidhet me pagat. Nga 1 korriku 2027, koeficienti i pagave parashihet të rritet në 120 euro, ndërsa punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë edhe pagën e 13-të.
Për pagat janë planifikuar gjithsej 1.085 miliardë euro, ndërsa sipas Kurtit kjo shumë lidhet me rreth 85 mijë punonjës publikë.
Rritje parashihet edhe për shtesat për fëmijë. Kryeministri njoftoi se ato do të rriten gradualisht me nga 25 për qind në vit, duke filluar nga 1 janari 2027, me synimin që deri në vitin 2030 të dyfishohen, raporton IndeksOnline.
Kështu, një familje me dy fëmijë që aktualisht përfiton 60 euro në muaj do të marrë 75 euro nga janari i vitit të ardhshëm, ndërsa një familje me katër fëmijë do të përfitojë 225 euro, nga 180 euro sa merr aktualisht.
Në sektorin e shëndetësisë, Kurti tha se është paraparë shtimi i 120 profesionistëve shëndetësorë në SHSKUK, investime në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe blerje të pajisjeve moderne mjekësore.
Ai bëri të ditur gjithashtu se buxheti për udhëtime zyrtare jashtë vendit është përgjysmuar, ndërsa mjetet e kursyera do të orientohen drejt financimit të barnave esenciale për SHSKUK-në.
Projektbuxheti i vitit 2027 parasheh edhe një nivel rekord të investimeve kapitale. Sipas Kurtit, për këtë kategori do të ndahen për herë të parë mbi një miliard euro.
Në mesin e projekteve të përmendura janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit dhe projekte të tjera për ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale e rajonale.
Investime janë planifikuar edhe në sigurinë ujore, përfshirë projekte për ndërtimin e digave të reja, si dhe në menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit.
Një linjë e veçantë buxhetore është paraparë për infrastrukturën sportive në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në projektbuxhet është përfshirë edhe nisma për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore. Sipas Kurtit, synimi është zgjerimi i lidhjeve ajrore të Kosovës, lidhja më e madhe me diasporën dhe promovimi i potencialit ekonomik e turistik të vendit.
Në fushën e turizmit, Qeveria ka paraparë investime për projekte përmes Partneritetit Publiko-Privat, përfshirë zhvillimin e resorteve turistike në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit.
Nga buxheti i vitit 2027, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave, që sipas Kurtit përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më tani.
Kurti tha po ashtu se në këtë buxhet është paraparë rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga ekipet mbrojtëse.
Kryeministri e cilësoi projektbuxhetin si plan financiar që synon të lidhë rritjen ekonomike me investimet publike, mbështetjen sociale dhe zhvillimin e sektorëve strategjikë të vendit. /IndeksOnline/
