Kurti: Mund të rritemi në 60 për qind

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se synimi i partisë së tij në zgjedhjet e 7 qershorit është të arrijë deri në 60 për qind të votave, duke e konsideruar këtë objektiv të realizueshëm përmes punës, sinqeritetit dhe përkushtimit.

Në fjalimin e mbajtur të shtunën në Këshillin e Përgjithshëm të partisë, ku u konfirmua sërish si kandidat për kryeministër, Kurti theksoi se mbështetja për Vetëvendosjen është në rritje të vazhdueshme.

“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9 për qind, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60 për qind. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”, u shpreh ai.

Kurti kritikoi opozitën, duke e akuzuar për bllokim të proceseve institucionale. Sipas tij, këto veprime nuk e kanë ndalur vullnetin e qytetarëve, por kanë synuar pengimin e funksionimit të shtetit.

“Sa herë po na bllokojnë ne po rritemi. Ata po marrin përgjigje më të fortë nga populli. Nuk kishim nevojë për këto zgjedhje. Mbase dikush, ndonjë strateg që drejton nga hija veprimet opozitare, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin e shtetin. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë e cila ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin. Vullnet i popullit nuk është nen kushtetues, është forcë e historisë që na shpie përpara”, deklaroi ai.

Kurti gjithashtu u ndal te orientimi evropian i Kosovës, duke theksuar se integrimi në Bashkimin Evropian është pjesë e vlerave dhe identitetit shoqëror, jo vetëm një synim politik. Ai tha se qeverisja e tij është e përqendruar në forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një shteti të drejtë.

Duke shprehur mirënjohje për nominimin, Kurti tha se kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një detyrim ndaj qytetarëve dhe shtetit. Ai u zotua se do të vazhdojë punën për përballimin e sfidave, duke theksuar se me mbështetjen e qytetarëve, çdo pengesë mund të tejkalohet.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 7 qershor 2026 pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri.